Kastriot Islami: Rama ka thyer më tepër se unë rregulloren
“Një objektiv të përcaktuar për shtatorin e 2012-tës dhe një fushatë aktive në funksion të marrjes së statusit të vendit kandidat”. Këto janë objektivat për vitin e ardhshëm të deputetit ose më saktë ish deputetit të Partisë Socialiste, Kastriot Islami. I ftuar në intervistën e mbrëmjes me drejtorin e informacionit Patrik Sadikaj, Islami deklaroi për Ora News se qëllimi kryesor i tij është të kthehet një flamurtar për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Ndërsa rreth faktit se ku do të etiketohet pas çrregjistrimit nga grupi i PS-së, ai tha se momentalisht “nuk kam një vendim të prerë por do ta bëj publike në momentin që të kem një ide të qartë rreth pozicionimit tim”.
Më tej ai shtoi se nëse meriton të përjashtohet një anëtar i PS-së për shkelje rregulloreje, është vet kryetari i kësaj partie, i cili ka shkelur pafundësisht statutin dhe rregulloren e PS-së.
Sipas Islamit vetë përjashtimi i tij nga të qënit deputet i PS-së është një hakmarrje primitive, akumulim urrejtje 2 vjeçare ndaj “mendimit ndryshe” dhe jo rezultat i thyerjes së disiplinës. Për Islamin e gjithë situate është një përplasje mes dy filozofive, por sipas tij filozofia e Ramës nuk ka vizion por ka filluar numërimin mbrapsh duke pritur marrjen e pushtetit pas një humbje fizike të kreut të mazhorancës, zotit Berisha.
“ Ndjej keqardhje pasi ishte një hakmarrje primitive. Vlen të theksohet se pas përjashtimit kam pasur mbështetje të madhe. Zoti Rama vuan nga formimi politik, diplomatik, legal, ligjor. Ai prodhon dhe shet etiketa pa përmbajtje brenda dhe si i tillë urren ata që kanë formim të mire se personi i tij. Këtë e dëshmon edhe atakimi me ish presidentin Mejdani. Falenderoj një figurë kryesore të PS-së Dritëro Agollin për mbështetjen dhe madje ai mund të cilësohet si institucion i “mendimit ndryshe”. Nuk dua të nxjerr inatin por shikoj një paftësi drejt suksesit në Partinë Socialiste. Ndjej keqardhje dhe për rreshtimin mediokër të deputetëve pas Ramës pasi filozofia e tij është pritja e vdekjes së Berishës për të gëzuar pushtetin”- u shpreh Islami.
Islami shtoi se gjithë ky mediokritet nuk u mjaftua me përjashtimin, por e shumëfishoi dhe me qëndrimin e sotëm në Parlament për përfaqsimin e tij në KE.
“ Për shkak të hakmarrjes dhe klientelizmit,grupi i detyruar nga Rama mbajti një qëndrim që vetëm sa rrit vlerat e mia. Ishte një kontrast ndërmjet mazhorancës dhe opozitës, duke bërë që gabimi i opozitës të shumëfishohet. Por në PS ka njerëz që se ndjekin me zemër liderin e tyre por nga frika . Unë isha kurban për tu bërë shembull për të tjerët. Është fatale për PS, situata është shumë e rëndë, tani nuk lejohet të mendosh ndryshe as me veten tënde”.
I pyetur në lidhje me deklaratën e sotmë të ish-kryetarit të PS-së Fatos Nano për një korrigjim të mundshëm të gabimit nga PS-ja Islami tha se Rama është i pakthyeshëm në hakmarrjen e tij primitive. Ndërsa vlerësoi figurën e zotit Nano si një nga dy liderët e politikës së këtyre 20 viteve dhe shpjegoi se qëndrimi i tij do të ishte i njëjtë për cilindo deputet që do të ishte në vendin e tij.
Në fund zoti Islami uroi stafin e Ora News dhe gjithë shqiptarët për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri.