Berisha, në konferencë shtypi pas kthimit nga Nju Jorku
TIRANË- Pas kthimit nga Nju Jorku ku ishte pjesë e sesionit të 64-t të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, kryeministri Sali Berisha ka njoftuar përmes një konference shtypi sukseset e takimeve të zhvilluara. Ai i ka cilësuar shumë të rëndësishme vendimet që u morën në OKB mes të cilave dhe rezoluta për armët bërthamore.
Në fjalën e tij, Berisha ka theksuar se ka ftuar për një vizitë në Shqipëri presidentin e SHBA-së, Barak Obama, njëkohësisht ai i ka vlerësuar si shumë pozitive takimet e zhvilluara me krerë shtetesh, pjesëmarrëse në OKB.
Sipas Berishës, sesioni i OKB ka pasur një rëndësi historike pasi përveç takimeve pozitive për të rritur bashkëpunimin ekonomik me vendet e zhvilluara është lobuar dhe për çështjen e Kosovës, për njohjen e saj nga sa më shumë shtete në botë.
Për bojkotin e opozitës
Berisha i është drejtuar me një tjetër apel opozitës për tu kthyer në Kuvend, por pa i premtuar asnjë plotësim të kushteve të vendosura prej saj.
"Mendoj se shkalla e përgjegjësisë ndaj vendit dhe shqiptarëve janë obligim madhor i të gjithë faktorëve politikë shqiptar dhe në radhë të parë atyre kryesorë. Opozita duhet të jetë në lartësinë e idealeve evropiane dhe të dëshmojë qartë se është për favoritin dhe jo dëmtimin e liberalizimit të vizave dhe anëtarësimin në BE"- tha ai.
Sipas tij, për zgjedhjet ka folur tashmë faktori ndërkombëtar dhe gjykatësi OSBE/ODIHR, që me raportin final deklaruan se vendi zbatoi angazhimet kryesore të OSBE/ODIHR-it, se nuk ka pasur prova për manipulime dhe numërim të parregullt. "Opozita të vijë në parlament dhe unë garantoj se do të dëgjohet zëri i saj për reformat"- tha ai.
Për Enciklopedinë Maqedonase
Shpërthim racist ndaj shqiptarëve e ka quajtur Berisha Enciklopedinë Maqedonase aq shumë të debatuar së fundi në qarqet akademike dhe jo vetëm. Ai ka deklaruar se ka marrë mbështetjen e kryeministrit maqedonas për ta parë me përparësi këtë çështje, pasi sipas Berishës ky botim është dëmtues edhe për vetë vendin që e hodhi në qarkullim. "Shqiptarët nuk kanë pse të impresionohen nga ndërhyrjet e atyre që kanë probleme me identitetin e tyre"- tha ai.
Për tekstin "Historia 12"
Duke pohuar se ka ndjekur vetëm debatin, por nuk ka lexuar tekstin, Berisha ka theksuar se historia duhet të rishkruhet e rishqyrtohet, por me vërtetësi e objektivitet. "Në histori nuk ecet bardhë e zi dhe ajo që do them, historia duhet të shqyrtohet dhe shkruhet me objektivitet dhe ndershmëri se përndryshe bën një riciklim të shkrimit të saj. Unë nuk vuaj për histori, vuaj për të ardhmen, ndaj dhe jam këtu para jush. MASH do ta shqyrtojë tekstin"- ka thënë ai, duke i komentuar reagimet e opozitës për këtë libër shkollor si shprehje të një stadi të prapambetur. "Në mendjen e këtyre njerëzve funksion skema e Enver Hoxhës, nuk janë cliruar akoma. Historia është e fshehur, por ajo do nxjerrë të vërtetat"- tha ai.