E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në kryesinë e PD: Protestë kombëtare më 22 dhjetor

TIRANË, 13 dhjetor /ATSH/ Partia Demokratike mblodhi sot kryesinë ku gjatë fjalës në nisje të mbledhjes, kryetari Sali Berisha theksoi se rruga e vetme e opozitës përballë mazhorancës socialiste, janë vetëm protestat.

Berisha theksoi se me datën 22 dhjetor PD do të thërrasë protestën e parë kombëtare. Sipas Berishës, protestat do të vijojnë deri në krijimin e një qeverie teknike.

“Kemi vetëm një rrugë, dhe kjo është rruga e protestave. Duhet të flasin qytetarët me protestën e tyre”, u shpreh Berisha.

“Duhet të fillojmë protesta, duhet të organizojmë protesta. Duhet t’i fillojmë sa më parë, i kemi filluar ato që janë tek Kryeministria, por me datën 22 do të thërrasim protestë kombëtare. Ata shqiptarë që vijnë, ata janë të bekuar. Ata që nuk do vijnë, do vijnë më vonë. Por ne kurrë nuk do bëhemi pengesë, përkundrazi nxitës të protestave gjer ditën e fundit që të krijohet qeveria teknike në këtë vend për zgjedhjet e lira”, tha Berisha.

Sipas Berishës, PD nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë agjendë tjetër.

“Mendoj se data 22 dhjetor, të jetë data e protestës së parë të përgjithshme kombëtare dhe ne duhet ta kemi të qartë se kryefjala e axhendës sonë do të jetë protesta. Nuk ka më asnjë shpresë përveç protestës”, tha Berisha.

Gjatë fjalës në Kryesi, kreu i PD-së u ndal edhe tek zhvillimet e fundit të cilat i cilësoi të paprecedenta në shumë e shumë vite.

“Për herë të parë në 32 vite, kreu i qeverisë kalon në sulm të hapur kundër ndëshkimit të korrupsionit”, u shpreh Berisha.

“Në një vend që aspiron, se i lirë nuk është Shqipëria, por që aspiron integrimin europian, kjo nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodhë kurrë”, tha Berisha.

Duke iu referuar arsyetimit të shumicës në vendimin për pezullimin e vendimit të GJKKO në lidhje me Ballukun, Berisha tha se ky arsyetim është identik me deklaratat e kryeministrit Rama.

“Ata vendosin pezullimin e pezullimit”, u shpreh Berisha.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›