E Diel, 1 Nëntor 2026

Salianji: Rruga e duhur janë revoltat, jo foltoret para Kryeministrisë

TIRANË, 13 dhjetor /ASTH/ Partia Demokratike mblodhi sot kryesinë. Ndërsa hynte në mbledhje, ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji, u shpreh për gazetarët se rruga e duhur janë revoltat, jo foltoret para Kryeministrisë.

Ai theksoi se aktiviteti i ditëve të ardhshme duhet të fokusohet në mobilizimin e qytetarëve për të shprehur pakënaqësitë e tyre përmes protestave të strukturuara.

“Është momenti që të fokusohemi tek protesta, tek revolta, përballja me qeverinë, te dëgjesa e çdo shqetësimi qytetar. Nëse nuk jemi të aftë t’i përkthejmë në energji shqetësimet e demokratëve, do ta kemi të vështirë siç po e kemi për të bërë protesta”, u shpreh Salianji, i cili së fundmi ka zhvilluar takime në bazën e Partisë Demokratike.

Kreu i PD-së, Sali Berisha i ka cilësuar private takimet e Salianjit, duke thënë se gjithçka që zhvillohet jashtë strukturave të PD nuk është pjesë e partisë.

Ndërkaq, Salianji i cili është anëtar i Kryesisë së PD, cilësoi si rrugën e duhur për aksionin opozitar revoltat dhe jo foltoret para Kryeministrisë, duke iu referuar tubimeve të javëve të fundit të thirrura nga Berisha.

“Shpresoj që ky të jetë edhe vendimi sot i kryesisë. Kam qenë në çdo protestë dhe i jam nënshtruar vendimmarrjes së partisë”, tha Salianji.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›