Berisha negocion me grekët për lotarinë kombëtare
Zyra e shtypit e qeverisë njoftoi dje se drejtuesi i një kompanie greke të bixhozit është takuar me Kryeministrin Sali Berisha dhe ka filluar bisedimet për të marrë licencën monopol për lotarinë kombëtare.
“Kryeministri Berisha priti sot (dje) në takim zotin Costantinos Antonopoulos, drejtor i Përgjithshëm i kompanisë “Intralot” dhe anëtar i Bordit Drejtues të kompanisë “Intracom”. Zoti Antonopoulos i shprehu Kryeministrit Berisha interesin e grupeve që ai përfaqëson për të shtrirë më tej aktivitetet e tyre në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
“Interes tjetër i grupit “Intralot” është pjesëmarrja në lotarinë nacionale që do të hapet së shpejti. Zoti Antonopoulos i shprehu Kryeministrit Berisha besimin për suksesin dhe transparencën e procesit, duke theksuar që kompania e tyre do të konkurrojë si një partnere investuese në këtë projekt”, vijon më tej njoftimi. “Intralot” është një kompani greke e themeluar në vitin 1992. Në faqen e saj zyrtare në internet thotë se ofron 400 lloje të ndryshme bixhozi. Gjatë vitit 2008 pati 1.1 miliardë dollarë të ardhura. Presidenti i saj është biznesmeni Socrates Kokkalis, i njohur si presidenti i një fondacioni që ofron bursa gjashtëmujore në shkollën e qeverisjes Kennedy në Harvard. Një numër i konsiderueshëm politikanësh shqiptarë e kanë përfunduar këtë kurs gjashtëmujor.
Dhjetorin e kaluar, qeveria miratoi një vendim për t’i ngarkuar Ministrisë së Financave hapjen e procedurave për një lotari kombëtare.
“Autorizohet Ministria e Financave për shpalljen e procedurave të garës për lotari kombëtare, si dhe për shpalljen e kritereve për dhënien e licencave për Kazino”, thuhej në një vendim të marrë në dhjetor 2009. Në bazë të ligjit, në Shqipëri do të jepet vetëm një licencë për lotari kombëtare dhe kjo licencë do të ketë një afat prej dhjetë vjetësh.
“Kjo licencë është një e vetme dhe i jepet aplikantit, i cili përzgjidhet i pari në procesin e konkurrimit, të zhvilluar sipas procedurave të përcaktuara”, thuhet në ligjin për lojërat e fatit. Sipas ligjit, licenca duhet t’i jepet një subjekti përmes një tenderi. Taksa fikse për lotarinë është 300 milionë lekë dhe paguhet vetëm një herë. Kompania pjesëmarrëse në tender duhet të ketë një kapital themeltar prej 1.2 miliardë lekësh. Sipas kuptimit të ligjit, te llogaria kombëtare përfshihen: të gjitha lojërat numerike, ku një numër është tërhequr nga një radhë e paracaktuar numrash; "Keno", si në formën tradicionale, ashtu edhe në atë elektronike; lotari, për të cilat hidhet short, ku lojtari synon të fitojë një shumë të caktuar, nëse nga hedhja e shortit, që bëhet në mënyrë publike, fiton numri, që shënohet në biletën e zgjedhur prej tij; lotari e çastit, ku lojtarit i ofrohet mundësia të bëjë vetë fshirjen e shiritit mbulues të numrit të shënuar, brenda një intervali kohor të caktuar, gjatë të cilit është e vlefshme seria e biletës së lotarisë.
Qeveria e sotme e ka ndryshuar ligjin për lojërat e fatit së paku katër herë në dy vitet e fundit.
Tregu i lojërave të fatit në Shqipëri qarkullon rreth 100 milionë dollarë në vit, sipas një informacioni të shpërndarë disa kohë më parë nga zyra e administrimit të lojërave të fatit pranë Ministrisë së Financave. Në të gjithë botën njihet fakti që biznesi i bixhozit shtohet me rritjen e krizës ekonomike dhe anasjelltas, ulet në periudhat e bumit, kur njerëzit janë më të zënë duke fituar para përmes punës.