E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, 60 minuta në zyrën e Topit: Diskutime për krizën dhe gjykatat

Qëndrimi Kreu i opozitës tha se është gati për zgjidhje dhe ftoi mazhorancën të mos fshihet pas alibive

Partia Socialiste është e gatshme të negociojë për krizën politike mbi bazën e propozimeve konkrete. Përmes kryetarit të saj, Edi Rama, ajo hodhi hapat e fundit institucionalë vetëm një ditë para se në Tiranë të mbërrinin ekspertët ndërkombëtarë që do të ndërmjetësojnë mes palëve. Një takim në Presidencë mes drejtuesit të selisë rozë dhe kreut të shtetit, Bamir Topi, ka risjellë në vëmendje përpjekjet e opozitës për të institucionalizuar dialogun me shumicën në pushtet, i cili deri më tani ka vuajtur edhe nga mungesa e seriozitetit në prezantimin e draft-propozimeve. Burimet nga selia rozë thonë se në takimin me Topin, Rama i ka bërë atij të qartë se nuk do të tërhiqet nga kauza për transparencën e plotë të zgjedhjeve përmes hapjes së kutive të votimit. Pak orë pas kontaktit zyrtar me kreun e shtetit, Rama bëri të ditur qëndrimin e tij, i cili ka synuar bindjen e opinionit për përmbushjen e detyrimeve politike të PS-së. “Zgjidhja e kompromisit është në tavolinë si shprehje e vullnetit tonë të mirë dhe e vetëdijes sonë politike e qytetare për nevojën e madhe që ka Shqipëria sot për t’u çliruar nga pesha e krizës së mungesës së transparencës. Ne jemi gati për zgjidhjen, pala tjetër s’ka pse fshihet pas alibive që tanimë janë rrëzuar dhe as duhet ta vonojë pranimin e zgjidhjes, duke u faturuar shqiptarëve pasoja krejt të pamerituara...”, deklaroi ai. Së bashku me rikthimin në Parlament dhe ndërprerjen e grevës së urisë, selia rozë hyn kështu në raundin e negociatave me një llogari politike të përmbushur para komunitetit ndërkombëtar. Duke folur rreth kësaj gjendjeje të re, mund të vihet re theksimi që Rama i ka bërë rolit të ri të opozitës në kontrollin e stabilitetit politik, që parakupton rinisjen e protestave dhe një paralizim të procesit të integrimit. “...qeveria duhet të lërë mënjanë kokëfortësinë e t’i hapë rrugë transparencës, sepse askujt nuk i intereson që kriza qeverisëse të thellohet në dëm të stabilitetit institucional të vendit, duke thelluar krizën e ekuilibrave tejet të cenuar të pushteteve kushtetues të Republikës”, ka vijuar më tej ai në të njëjtin kontekst paralajmërues. Përballë qetësisë së qeverisë dhe karakterit frenues të apelit të saj publik, selia rozë gjithnjë e më shumë po flet për krizë të thellë dhe destabilizim. Në këtë drejtim Rama ka rimarrë deklaratat e një dite më parë të ambasadorit amerikan në Tiranë, John Withers, për të legjitimuar pretendimet e veta, të cilat janë vlerësuar prej kohësh si të ekzagjeruara apo edhe të izoluara nga komuniteti ndërkombëtar. “Dua të përshëndes e njëkohësisht të falënderoj përfaqësuesin e SHBA, ambasadorin Withers, për fjalët e shkoqura që tha publikisht dje, duke ngritur shqetësime të mëdha. Ndaj me bindjen se kriza e thellë ku zhytet çdo ditë Shqipëria kërkon zgjidhje dhe opozita është e gatshme të japë zgjidhjen e duhur, duke bërë kompromisin e duhur, por pa cenuar transparencën e në respekt të Kushtetutës”, tha Rama. Mes transparencës dhe respektit të Kushtetutës – ky nënvizim në fjalën e kreut të PS ka rëndësi për të supozuar se formula e saj për zgjidhjen e krizës i përafrohet shqetësimeve juridike të shumicës. Për sa i përket cenimit të stabilitetit kushtetues, ai ka marrë shkas nga rrëzimi i kandidaturës së Vangjel Kostës për anëtar të Gjykatës Kushtetuese për të sinjalizuar rikthimin e shumicës në aksione që synojnë kontrollin e të gjitha institucioneve. Koherenca e qëndrimeve të PS me ato të ambasadës amerikane shoqëruar me korrektesën institucionale të takimit në Presidencë kanë plotësuar formalisht vullnetin për dialog të PS, që gjithsesi do të testohen në ditët në vijim.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›