E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dambisa Moyo: Mjaft na ndihmuat!

“Zotërinj perëndimorë, ju lutem që të mos na jepni më ndihma: na bëjnë keq, krijojnë korrupsion dhe pengojnë zhvillimin”

çfarë do të ndodhte nëse vendet e Afrikës Subsahariane të merrnin një telefonatë ku t’u komunikohej se brenda pesë vjetësh “rubinetet” e ndihmave do të mbyllen përgjithmonë? Sigurisht nuk do të ndodhte një katastrofë humanitare, por fillimi i rilindjes së një kontinenti të varfër. Këto janë fjalët e një ekonomisteje 40-vjeçare, e lindur dhe e rritur në Zambia, që në vitin 2009 u klasifikua nga revista e përjavshme “Times” mes 100 personave më të rëndësishëm të planetit. Dambisa Moyo e di se për çfarë po flet. Bijë e një ish-minatori afrikanojugor, sot është në krye të një organizmi kundër korrupsionit dhe presidente e bankës “Indo-Zambia Bank”, pas masterit në Harvard dhe një doktoraturë në Oksford, ka punuar për një kohë të gjatë si analiste në “Goldman Sachs”. Libri i saj i parë, “Dead Aid”, është një bestseller në Amerikë, Kanada dhe Britaninë e Madhe.
“Që prej Luftës së Dytë Botërore, vendet në zhvillim kanë marrë mbi 2 miliardë dollarë ndihma, gjysma e të cilave kanë përfunduar në Afrikë. Jo vetëm që nuk kanë mjaftuar, por janë bërë shkaku kryesor i tragjedive afrikane”, thotë Moyo. është e vështirë të mos i japësh të drejtë kur thekson se, me të dhëna në dorë, fluksi i ndihmave humanitare ka pasur pasoja të paimagjinueshme: “Nga viti 1970 deri në 1998, kur transferimi i kapitaleve drejt vendeve të botës së tretë arriti kulmin, shkalla e varfërisë në Afrikë u rrit nga 11-66 për qind dhe në vendet e ndihmuara më shumë, rritja ekonomike pësoi një tkurrje vjetore me 0,2 për qind. Sot 600 milionë afrikanë, gjysma e popullsisë së kontinentit, jetojnë në varfëri të plotë”.

Moyo thekson se ndihmat (15 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto e Afrikës Subsahariane) nxisin një rreth vicioz të keq: ‘ushqejnë’ korrupsionin, kleptokracinë dhe luftërat civile, mbështesin regjimet despotike, dekurajojnë investimet, rrisin inflamacionin dhe krijojnë varësi dhe varfëri, duke i bërë ndihmat të nevojshme dhe të pashmangshme. “çdo vit, Afrika merr 20 miliardë dollarë për të shlyer borxhin e jashtëm dhe mbi 150 miliardë dollarë janë gllabëruar nga korrupsioni i madh. E vërteta është se asnjë vend në botë nuk ka arritur ndonjëherë të ulë nivelin e varfërisë dhe të mbështesë rritjen ekonomike falë ndihmave”.

Moyo e pranon se Plani Marshall në Europë dhe revolucioni i gjelbër në Indi kanë funksionuar, por vetëm sepse bëhej fjalë për programe afatshkurtra, të menaxhuara në mënyrë efikase dhe me objektiva precizë. Nuk është vetëm rasti i Afrikës, ku “dështimi i politikës së zhvillimit u ka rënë në sy të gjithëve”.

Kritikat e ashpra të Moyo-s nuk u drejtohen ndihmave humanitare emergjente, apo shoqatave të angazhuara në projektet e veçanta me vlera të mëdha, që përfaqësojnë një pjesë të parëndësishme të miliarda dollarëve që u janë transferuar drejtpërsëdrejti qeverive të vendeve të varfra, nëpërmjet marrëveshjeve bilaterale ose instituteve të ndryshme si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Moyo denoncon rastet emblematike të fermerëve afrikanë të shkatërruar nga ushqimet amerikane dhe europiane me shumicë, që përmbysin tregjet lokale. Apo atë të një sipërmarrësi, i cili u detyrua të mbyllte fabrikën e rrjetave kundër mushkonjave, sepse disa organizata ndërkombëtare kishin vendosur t’i shpërndanin falas. “Jo më kot, nga viti 1981 deri në 2002, numri i të varfërve afrikanë është dyfishuar. Gjithashtu është ulur edhe përqindja e analfabetizmit te të rriturit. Apelet për transparencë nuk kanë shërbyer për asgjë”, thekson ajo. Përveç këtyre rasteve, në librin e saj, lexohet se çfarë kanë nevojë vendet e varfra, për zhvillim ekonomik, demokracinë e munguar dhe një lider të vërtetë që të vërë në zbatim të gjitha reformat ekonomike.

Pika e dobët është në zgjidhjet e propozuara, që të gjitha rastet i janë besuar tregut të lirë dhe nismave private. Moyo është kundër rregullave të profesorit të saj të vjetër në Harvard dhe këshilltarit të OKB-së, Jeffrey Sachs, që për të eliminuar varfërinë, nevojitet një plan kolosal ndihmash humanitare: 195 miliardë dollarë çdo vit deri në fund të vitit 2015. “është vërtet një çmenduri”, pohon ajo. “Në Etiopi, ku ndihmat përbëjnë 90 për qind të bilancit publik, vetëm 2 për qind e popullsisë ka një telefon celular. Botsvana, e cila prej pak kohësh ka përqafuar ekonominë e tregut, ekonomia e tregut po ecën me ritme të shpejta zhvillimi. Afrika duhet të mësojë nga Kina, që i është dhënë tregut, investimeve, eksportimeve. Sot me 4 mijë miliardë dollarë, rezerva monetare dhe lëndë të para është partneri ideal i Afrikës: në pesë vjet kinezët kanë realizuar më shumë infrastruktura se amerikanët në gjysmëshekull”.

Në praktikë, Moyo u propozon vendeve afrikane katër burime alternative financimi për ndihmat: lëshimin e bonove në tregun ndërkombëtar të kapitaleve, nxitjen e investimeve të huaja në infrastrukturë, një strategji për mikrofinancimet si dhe liberalizimin e tregjeve bujqësore. Gjithsesi Dambisa Moyo, shumë optimiste, nuk ka dyshime. Atë nuk e dekurajon as recensioni global. “Kriza është një mundësi për Afrikën: dhuruesit perëndimorë duhet t’i ndërpresin fondet. Vetëm kështu, ndoshta, afrikanët e kuptojnë se duhet të fillojnë të ecin me këmbët e veta”, përfundon ajo.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›