E Martë, 3 Nëntor 2026

PEKIN – Kina: Pretendimet e Trump për progresin e bisedimeve të marrëveshjes tregtare me SHBA-në, të rreme

PEKIN, 24 prill /ATSH-DPA/- Kina ka hedhur poshtë pretendimin e presidentit amerikan Donald Trump se të dyja palët janë në kontakt të drejtpërdrejtë mes mosmarrëveshjes tregtare në vazhdim.

“Me sa di unë, nuk ka pasur konsultime apo negociata midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështjen e tarifave – e lëre më një marrëveshje”, tha sot një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze në përgjigje të pyetjes së një gazetari.

“Lufta tarifore u iniciua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pozicioni i Kinës është i qartë: do të luftojë deri në fund”, tha zëdhënësi.

“Dera e negociatave mbetet e hapur, por bisedimet duhet të zhvillohen në baza të barabarta, me respekt dhe në një mënyrë që të përfitojnë të dyja palët”, tha ai.

Në përgjigje të një gazetari që pyeti nëse SHBA-ja dhe Kina po zhvillonin bisedime të drejtpërdrejta, Trump tha “po, sigurisht, çdo ditë”.

I pyetur se sa shpejt synonte të ulte tarifat për importet kineze në SHBA, Trump tha se kjo varej nga Pekini.

Konflikti tregtar u përshkallëzua në fillim të prillit kur Trump vendosi tarifa speciale për shumë vende. Më vonë ai urdhëroi një pauzë 90-ditore të rritjes.

Megjithatë, tarifat speciale deri në 145% mbeten në fuqi për produktet nga Kina. Si përgjigje, Pekini vendosi tarifa prej 125% për mallrat nga SHBA-ja. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›