E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha ngushëllon familjet e 4 oficerëve të rënë në krye të detyrës

Kryeministri Sali Berisha vizitoi dje pasdite, familjet e katër oficerëve të Policisë së Shtetit, drejtuesit Fatos Xhani dhe kryeinspektorëve Saimir Duçkollari, Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, të cilët humbën jetën gjatë operacionit për eliminimin e bandës kriminale, të të shumëkërkuarit, Dritan Dajti 

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha vizitoi dje pasdite, familjet e katër oficerëve të Policisë së Shtetit, drejtuesit Fatos Xhani dhe kryeinspektorëve Saimir Duçkollari, Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, të cilët humbën jetën gjatë operacionit për eliminimin e bandës kriminale, të të shumëkërkuarit, Dritan Dajti.
Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, Kryeministri Berisha u shprehu familjarëve ngushëllimet më të thella për humbjen e jetës së njerëzve të dashur, si dhe vlerësoi se "kjo humbje është një dhimbje e madhe për të gjithë, por heroizmi i tyre është frymëzues për çdo shqiptar".
Duke e cilësuar aktin e tyre heroik, Kryeministri Berisha u shpreh se "po aq sa familjarët, dhimbjen e kanë ndjerë të gjithë shqiptarët, sepse ata dhanë jetën për atë që është më e shtrenjtë për të gjithë, për sigurinë, qetësinë, rendin dhe ligjin". Dhimbja është e madhe, tha Kryeministri, por banda u eliminua dhe kjo është ngushëllim për jetën e tyre.
Sipas tij "beteja kundër krimit është jetike për shqiptarët dhe sakrifica e efektivëve të policisë mbetet përcaktuese për të ardhmen e vendit tonë".
"Ata ishin më të mirët e më të mirëve, kishin një karrierë të shkëlqyer dhe ranë vetëm sepse donin të zbatonin ligjin. Ata nuk donin të qëllonin, por të zbatonin ligjin. Mes të qenurit gjallë dhe zbatimit të ligjit, ata zgjodhën ligjin, sepse ata janë heronj dhe faktuan se ky është morali dhe shpirti i policisë. Ata ranë për t’u sjellë si shërbëtorë të një vendi të lirë", tha Kryeministri Berisha, duke siguruar se "krimineli dhe banda e tij do të marrin ndëshkimin e merituar".
Kryeministri Berisha siguroi se "lufta pa kompromis kundër krimit të organizuar është dhe do jetë në qendër të përpjekjeve të qeverisë dhe të të gjitha strukturave të rendit në vend".
"Nuk ka gjë më të rëndësishme për ne se sa lufta kundër krimit të organizuar dhe ky ishte një rast që na nxit të rishikojmë çështjen e ligjeve të luftës ndaj krimit", tha në vijim Kreu i Qeverisë.
Duke shprehur jo vetëm dhimbjen e thellë, por edhe solidaritetin me fëmijët, bashkëshortet dhe familjarët, Kryeministri Berisha siguroi se "qeveria do të qëndrojë në mbështetje të plotë të tyre dhe do të ndërmarrë vendime të tjera që rishikojnë statusin e të rënëve në krye të detyrës".
"Të jeni të sigurt se, përveç të dashurve tuaj, asgjë nuk do t’u mungojë fëmijëve dhe familjarëve të të rënëve, pasi sakrifica e tyre meriton çdo mbështetje ndaj jush", siguroi Kryeministri Berisha.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›