E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha ngushëllon familjet e policëve heronj

“Kjo humbje është një dhimbje e madhe për të gjithë, por heroizmi i tyre është frymëzues për çdo shqiptar. Mes të qenurit gjallë dhe zbatimit të ligjit, ata zgjodhën ligjin, sepse ata janë heronj. Ata faktuan se ky është morali dhe shpirti i policisë.”
Kryeministri Berisha, vizitoi familjet e katër oficerëve të Policisë së Shtetit, Drejtues Fatos Xhani dhe Kryeinspektorëve Saimir Duçkollari, Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, të cilët humbën jetën gjatë operacionit policor të pak ditëve më parë në Durrës, për arrestimin e dritan dajtit.
Ai u shprehu familjarëve ngushëllimet më të thella të tij dhe të qeverisë që ai drejton për humbjen e jetës së njerëzve të dashur të tyre, duke vlerësuar se kjo humbje është një dhimbje e madhe për të gjithë, por heroizmi i tyre është frymëzues për çdo shqiptar.
Duke e cilësuar aktin e tyre heroik, kryeministri Berisha u shpreh se kjo është një dhimbje që, po aq sa familjarët, e kanë ndjerë të gjithë shqiptarët, sepse ata dhanë jetën për atë që është më e shtrenjtë për gjithë shqiptarët, për sigurinë, qetësinë, rendin dhe ligjin. Dhimbja është e madhe, tha Kryeministri, por banda u eliminua dhe kjo është ngushëllim për jetën e tyre.
“Beteja kundër krimit është një betejë jetike për shqiptarët dhe sakrifica e efektivëve të policisë ka qenë, është dhe do të jetë përcaktuese për të ardhmen e vendit tonë. Ata ishin më të mirët e më të mirëve, kishin një karrierë të shkëlqyer dhe ranë vetëm sepse donin të zbatonin ligjin. Ata nuk donin të qëllonin, por të zbatonin ligjin. Mes të qenurit gjallë dhe zbatimit të ligjit, ata zgjodhën ligjin, sepse ata janë heronj dhe faktuan se ky është morali dhe shpirti i policisë. Ata ranë për t’u sjellë si shërbëtorë të një vendi të lirë. Krimineli dhe banda e tij, do të marrë ndëshkimin e merituar”.
Kryeministri Berisha siguroi se lufta pa kompromis kundër krimit të organizuar është dhe do jetë në qendër të përpjekjeve të qeverisë dhe të të gjitha strukturave të rendit në vend. Nuk ka gjë më të rëndësishme për ne, tha Kryeministri, se lufta kundër krimit të organizuar dhe ky ishte një rast që na nxit të rishikojmë çështjen e ligjeve të luftës ndaj krimit.
Duke shprehur jo vetëm dhimbjen e thellë, por edhe solidaritetin me fëmijët, bashkëshortet dhe familjarët, Kryeministri Berisha i siguroi se qeveria do të qëndrojë në mbështetje të plotë të tyre dhe do të ndërmarrë vendime të tjera që rishikojnë statusin e të rëniet në krye të detyrës.
Një mesazh ngushëllimi kryeminsitri Berisha, mori dhe nga Ambasadori i OSBE-së Robert Bosch.
“Prania e OSBE-së në Tiranë shpreh mbështetjen e fortë për veprimet e vendosura dhe deçisive të ndërmarra ndaj të gjitha formave të krimit të organizuar, nga qeveria shqiptare. Ne vlerësojmë lart rezultatet e arritura falë besnikërisë, zotësisë dhe përkushtimin të grave dhe burrave trima të policisë”, u shpreh ambasadori Bosch ne letren drejtuar kryeministrit Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›