Berisha njofton protestë ditën e hënë: Parlamenti zhvendoset para Kryeministrisë

Sali Berisha, gjatë konferencës së sotme për mediat, është shprehur se duke nisur nga dita e hënë Partia Demokratike dhe Opozita do të nisë protestat.
Por skenari këtë herë është pak më ndryshe nga protestat e mëparshme, pasi Berisha tha se ditën që do të ketë Kuvend, deputetët e PD dhe qytetarët do të protestojnë para Kryeministrisë.
“Dita e hënë do të jetë dita e fillimit të parlamentit para kryeministrisë së qyqarëve dhe parlamentare, PD ndërmerr tani një fillim të ri, një analizë të plotë të gjendjes në vend të situatës, se narko- shteti i Ramës dhe ndaj kësaj diktuare ka vetëm një rrugë, protesta dhe vetëm protesta”, tha Berisha.
Lideri i opozitës shtoi gjithashtu se ky angazhim është pjesë e strategjisë së PD për të garantuar pjesëmarrjen masive dhe efektive të qytetarëve në të gjitha format e protestës, duke u koordinuar në mënyrë që çdo hap të jetë i planifikuar dhe i efektshëm.
“Protesta kombëtare do përcaktohet skenari. Ajo do thirret në momentin e duhur. Fillimi është ky me këtë parlament-protestë para kryeministrisë. Dhe pastaj do punohet për thirrjen e një proteste të përgjithshme, skenari i të cilës do përcaktohet”.