E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga Eliza Dushku, tek Falja e Gjakut dhe filmi për Shkëlzenin

Pas takimit me Eliza Dushkun, aktoren me origjinë shqiptare në Hollivud, Lulzim Basha ka takuar sot edhe regjisorët dhe producentët e filmit Falja e Gjakut, fitues i Ariut të Argjendtë në festivalin e filmit të Berlinit, për skenarin më të mirë.  Falja e Gjakut është realizuar nga amerikani Joshua Marston dhe bashkëproducenti shqiptar. Sipas një njoftimi të Bashkisë, filmi gëzon shumë shanse që të nominohet për çmimin Oskar, për skenarin më të mirë.

E kështu në mbarë botën do mësohet historia e një familje shqiptare, që ngujohet brenda për shkak se babai i tyre vret komshiun për një copë tokë. Babai arratiset, vajza e tij, e shkëlqyer në mësime, dhe djali, mjaft tip popullor, mbyllen brenda. Ata kanë Facebook, përdorin teknologjinë, por janë të izoluar për shkak të një krimi mesjetar. Në njoftimin e bashkisë thuhet se Basha e ka vlerësuar si shumë realist skenarin e filmit. Kështu, ish-ministri i Brendshëm është krenar që e mbarë bota do mësojë se këtu njerëzit kanë frikë nga vetëgjyqësia, se një norma kanunore mesjetare shkatërron jetë njerëzish. Përballë përpjekjes së Eliza Dushkut për të dokumentuar se sa e mirë është Shqipëria, kjo duket një bombë. Por nuk është e vetmja. Një nga emrat më të njohur në Hollivud do prodhojë një film për historinë e trafikut të armëve përmes Shqipërisë. Në qendër të tij do jenë emra si Shkëlzen Berisha e Fatmir Mediu. Këtyre shembujve kaq të rëndë i shtohen të tjerë filma të Hollivudit, ku imazhi për shqiptarët është rrënues si Taken, Inside Man, My Moms New Boyfriend, disa seri të Law and Order, nga The Simpsons etj. Në këtë vend skenare filmash të shfaqen gjithandej. Vetëm nga jeta politike e Bashës kushedi çfarë perlash hollivudiane do dilnin,me vjedhje, gjyqe, vrasje e grabitje zgjedhjesh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›