E Diel, 1 Nëntor 2026

“Berisha nuk mori vesh kur liberalizohen vizat”

21/04/2010 Kreu socialist komenton deklaratat e Berishës pas kthimit nga Brukseli

Takimi Nano-Berisha, Rama: Shprehje e faktit që në Vjenë nuk ka krizë

Kreu i Partisë Socialiste komentoi dje deklaratat e bëra nga Kryeministri Sali Berisha pas kthimit nga Brukseli, ku dorëzoi përgjigjet e pyetësorit të BE-së. Në qëndrimin e tij, Rama nënvizoi me forcë se dhe gjatë daljes së radhës, kreu i ekzekutivit nuk bëri gjë tjetër, veçse u përpoq të gënjente shqiptarët. Po kështu, gjatë konferencës për shtyp, kryetari Rama, përmes një fjalie ironike komentoi dhe takimin mes ish-kryetarit të PS-së, Fatos Nano dhe Kryeministrit Berisha.

Deklarata

“Zoti Berisha tha se nuk e mori vesh në Bruksel se kur do të liberalizohen vizat për shqiptarët dhe këtë ai e quan një vizitë të suksesshme, ndërkohë që deri para pak javësh i siguronte njerëzit se këtë verë do të dilnin nga kufijtë pa viza”. Kështu u shpreh kreu socialist Edi Rama lidhur me qëndrimin e Kryeministrit Berisha mbi këtë çështje. Madje, po në këtë linjë, kryetari i PS-së ngriti dhe një supozim, sipas të cilit, “me sa duket edhe një gjashtëmujor tjetër po digjet pa heqje vizash, sepse ky pushtet që i ka vënë vizën parimeve e vlerave më elementare të qeverisjes në demokraci, nuk është në gjendje t’u ofrojë njerëzve asgjë më shumë sesa zhgënjim, ndërkohë që duke i gënjyer pa pushim vijon të rrijë më këmbë për të grabitur sa të mundet, ku të mundet e çfarë të mundet”. Rama u ndal dhe në të tjera çështje të evidentuara në konferencën më të fundit për shtyp të Kryeministrit Berisha. Në gjykimin e tij, kjo konferencë ishte një shfaqje shqetësuese, sepse tregoi fare qartë se i pari i Qeverisë është i fundit njeri i interesuar në këtë vend për të zgjidhur krizën. “Zoti Berisha foli për suksese imagjinare pikërisht në ditën kur u provua publikisht se vetëm në tre muajt e fundit 71 mijë vetë kanë humbur vendin e tyre të punës. 80 mijë vende pune premtoi zoti Berisha kur kërkoi votën e shqiptarëve dhe, pasi u grabiti votën, ka nxjerrë në rrugën e papunësisë mbi 100 mijë njerëz në më pak se një vit”, vlerësoi Rama. Njëkohësisht, referuar dhe gjendjes reale në të cilën ndodhet ekonomia dhe situatës që servir mazhoranca qeverisëse mbi këtë çështje, Rama vuri në dukje se ky vit është ekonomikisht edhe më i keq se i shkuari. Për këtë arsye, kreu i socialistëve deklaroi se “kjo e keqe i ka rrënjët tek kutitë e mbyllura të votimit, dhe fajtori i vetëm për këtë gjendje alarmante të demokracisë e të ekonomisë së vendit është keqqeverisja që duhet ndalur me çdo kusht. Protestat janë mjeti që populli ka në dorë për të zmbrapsur fuqinë abuzive të një qeverie të pushtetarëve, që kërrus përditë kurrizin e qytetarëve me korrupsion e varfërim”.

Qëndrimi

Sipas Ramës, 30 prilli do të jetë dita kulmore e protestave të përditshme që po zhvillohen kudo për hapjen e kutive të krimit elektoral dhe 1 maji do të gdhijë si dita e betejës qytetare për nxjerrjen e ekonomisë së vendit nga kutia e krizës. Por ndërkohë, duke komentuar takimin Nano-Berisha, në një kohë kur opozita proteston kundër këtij të fundit, Rama ironizoi se “kjo është shprehje e faktit që në Vjenë nuk ka krizë”. Madje, sipas tij, shfaqja shqetësuese e Kryeministrit Berisha është një arsye më shumë për të dalë më 30 prill e më 1 maj në protestën më të gjatë e më të madhe që një popull mund të bëjë për të ndalur rrënimin e provokuar nga Qeveria.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›