E Shtunë, 31 Tetor 2026

Digjet flamuri grek, Prokuroria nis hetimet

21/04/2010 Në shenjë proteste ndaj thirrjeve raciste të ushtarëve grekë

“Në kërkim” të të rinjve protestues, kërkohen nga mediat filmimet

DURRES- Studentë e të rinj në Durrës, të cilët kanë djegur flamurin grek në shenjë proteste ndaj thirrjeve raciste të komandove të marinës greke do të ndiqen penalisht. Burime të sigurta që janë konfirmuar edhe në organin e akuzës në Durrës bëjnë të ditur se është caktuar prokurori i çështjes dhe se ka nisur procedimi penal. Dje në mesditë posta e Durrësit u ka lënë gazetarëve në Durrës një zarf të madh në dorë duke u marrë edhe nënshkrimin. Prokuroria ka nisur të sekuestrojë provat materiale, të cilat do të kalojnë më pas në ndëshkim të të rinjve studentë të universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës dhe të mbështetësve të tyre. Më datë 29 mars disa të rinj i vunë flakën flamurit grek në mes të sheshit “Liria” në Durrës para teatrit, prefekturës e qarkut. Ata kanë mbajtur në krah flamurin kombëtar shqiptar, ndërsa i kanë vënë zjarrin simbolit grek duke shprehur në këtë mënyrë indinjatën për thirrjet diskriminuese të marinës greke në paradën me rastin e përvjetorit të çlirimit të Greqisë. Burime të sigurta thonë se prokurori i kësaj çështje është caktuar Altin Binaj, i cili është emëruar vetëm tre javë më parë në Prokurorinë e Durrësit. Në shkresën e Prokurorisë kërkohej që mediat vizive të dorëzojnë në Prokurori kasetat filmime, si dhe të afrojnë detaje lidhur me identifikimin e protestuesve. Protesta e studentëve është zhvilluar e paralajmëruar dhe tubimi është organizuar jo më larg sesa 50 m larg nga godina e Prokurorisë dhe gjykatës, ndërkohë që policia në ditën e protestës është detyruar të mbikëqyrë trafikun. Protesta nuk ka pasur asnjë mbështetje nga organet e qeverisjes vendore, shoqata apo organizata qeveritare dhe joqeveritare. Megjithatë, prokurori Binaj do të ndërmarrë çdo përpjekje për të gjetur djemtë dhe vajzat që kanë “zemëruar” grekët racistë. Pohime jozyrtare në Durrës thonë se të tilla procese nën akuzën e shkeljes së simboleve dhe fyerjes së dinjitetit kombëtar të vendit fqinj do të ndërmerren në të gjitha ato qytete ku janë organizuar protesta të tilla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›