Berisha, opozitës: Mund të protestoni edhe 10 ditë rresht

Opozita shqiptare është e lirë të protestojë sa herë të dojë dhe hapësirat në Tiranë janë të mjaftueshme për të përballuar dy tubime në një ditë. Kjo ishte deklarata që bëri kreu i qeverisë Sali Berisha, në komunikimin me median me qëllimin e prezantimit të vizitës së tij në Bruksel. Duke folur edhe për vendimet e marra nga Partia Socialiste përgjatë kohës që ai ishte larg Shqipërisë, Kryeministri theksoi se ai nuk shihte asnjë problem në faktin se PS do të protestonte edhe në datën 1 maj, ditë në të cilën mazhoranca do të zhvillojë një koncert festiv. “Sheshet dhe rrugët janë të mëdha ka vend për të gjithë. Ne do të organizojmë një koncert festiv për punën, të cilin duhet ta kishte organizuar PS si një parti e majtë që është, por që nuk arriti ta bëjë. Për ne nuk ka asnjë problem me protestat dhe ajo mund t’i shtrijë ato sa të dojë. Le të protestojnë një ditë, dy ditë, tri ditë apo dhjetë ditë, ata janë të lirë”, deklaroi Kryeministri. Në lidhje me Kongresin e PS-së të mbajtur tri ditë më parë Berisha u mjaftua duke thënë se: “të recitosh Fan Nolin me sloganet e Haxhi Qamilit është zgjedhje mjerane”. Referencë që kishte të bënte me fjalën e kryetarit të PS-së, Edi Rama, në këtë Kongres. Nga ana tjetër, ai theksoi se ndonëse me zgjerimin e programit të saj, PS nuk mund të arrinte t’i merrte PD-së as edhe një pjesë të elektoratit. “Zoti Rama mund të marrë ndonjë anëtar ose ish-anëtar, por kjo është normale. Për sa i përket programit ai duhet të kuptojë se programi nuk është letër, por është frymë, shpirt dhe përkushtim”, nënvizoi Kryeministri. Po kështu, ai i cilësoi sulmet e socialistëve ndaj ekonomisë shqiptare, si sharlatanizëm mjeranë dhe si “lufta” e Don Kishotit me mullinjtë e erës. Kryeministri Berisha theksoi se ai ftonte edhe njëherë opozitën të merrte pjesë rregullisht në jetën parlamentare dhe të ishte pjesë e reformave të mëdha që vendi po merrte për anëtarësimin në BE. Sipas Berishës, me vullnetin e mirë palët mund të gjenin mundësinë e tejkalimit të ngërçit politik, por në përputhje të shtetit ligjore dhe Kushtetutës. “Hapësira është e plotë e gjerë dhe totale, në rast se opozita është e interesuar për të bërë transparencën, institucionet demokratike kanë të gjithë procedurat e gatshme, jo vetëm kutitë e votimit, por edhe kasafortat më sekrete të këtij shteti”, theksoi Berisha. Në konferencën për shtyp, Berisha foli gjatë edhe për takimet që ai zhvilloi me krerët më të lartë të Bashkimit Europian në Bruksel. Ai e cilësoi momentin e dorëzimit të pyetësorit të Shqipërisë si një moment solem dhe historik, për të vetë, për shqiptarët dhe Shqipërinë. Në lidhje me liberalizimin e vizave, Berisha theksoi se krerët e lartë europianë kishin vlerësuar progresin e madh që kishte bërë Shqipëria në këtë fushë, por momenti se kur vizat do të hiqen është çështje e brendshme e rakordimit të strukturave të BE-së. Nga ana tjetër, Berisha nuk ngurroi ta krahasonte rrugën e tij treditore nëpër Europë, si pasojë e problemeve ajrore, me atë të shqiptarëve drejt BE-së. “Udhëtimi im më kujtonte 7 male kaptuar, 7 vende kaptuar. Dua të falënderoj autoritetet e 7 vendeve për lehtësitë e mëdha që më krijuan, duke bërë që udhëtimi të ishte pothuajse i rrufeshëm. Ky udhëtim është siamez me atë të shqiptarëve drejt Europës, duke qenë i lodhshëm, jo pa dhimbje, por i frytshëm dhe i sigurt”, paralelizoi Kryeministri në konferencën e tij për shtyp. Berisha premtoi se shumë shpejt do të bëjë publike datën e mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike që do të zgjedhë drejtuesit e rinj të partisë.
#