Valter Shtylla: Monumentet do ti shpëtojë reforma
Dita Ndërkombëtare e Monumenteve të Kulturës ka kaluar heshtur në Shqipëri. Instituti i Monumenteve, vetëm dje ka organizuar një takim modest për promovimin e botimit të revistës së monumenteve, e prezantuar si një përpjekje për të kapur ritmin e para ‘90-s, për të ndryshuar në përmbajte e në formë. Rrëshqitazi është prekur problematika për monumentet e kulturës, rreziku që u kanoset vazhdimisht dhe mundësitë për ndërhyrje. Drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës e përgjithëson problemin e monumenteve, duke e quajtur europian e më tej, ndërsa politikat për të parandaluar shkatërrimet e mundshme si pasojë e faktorëve të natyrës apo njerëzorë, i lidh me reformën e re që po përgatitet për sistemin e trashëgimisë. Sipas tij, kjo reformë, për të cilën specialistë të tjerë kanë shprehur rezerva, përpiqet të zgjidhë mangësi të deri më tanishme, sidomos për sa i përket trajtimit të vazhdueshëm të monumenteve. Sipas Shtyllës, ndërhyrjet kryesore të 2010-s janë parashikuar në qytetet trashëgimi të UNESCO-s, Gjirokastra dhe Berati, ndërsa ende nuk ka një listë të saktë me monumentet që rrezikojnë më tepër.
Si është gjendja e monumenteve tona në vitin 2010?
Gjendja e monumenteve të kulturës është një problem jo vetëm mbarëshqiptar, por për shumë vende të Europës e më tej. Organizmat ndërkombëtare që merren me trajtimin e trashëgimisë kulturore kanë shqetësime e probleme që lidhen me aspekte të ndryshme. Në Europën Lindore, ndryshimet që ndodhën pas ‘90-s, kalimi nga ekonomia e centralizuar e asaj kohe në atë liberale ka pasojat e veta. Në këtë aspekt, kur trajton monumentet e kulturës vetëm me buxhetet shtetërore, ka njëfarë përqendrimi se sa kur në trajtimin e monumenteve fillojnë të ndërhyjnë edhe buxhete të tjera si bizneset private, sponsorizimet etj. Trashëgimia kulturore nuk është e mundur të mbahet vetëm me buxhetet shtetërore, sepse monumentet janë të shumta, problemet po ashtu. Duke qenë se monumentet trashëgohen, për faktorë natyrorë dhe njerëzorë kanë transformime dhe dëmtime të vazhdueshme, ndaj institucionet e trashëgimisë kanë një barrë të madhe për të përballuar trajtimin dhe mirëmbajtjen e këtyre vlerave kulturore që shprehin identitetin kombëtar të një populli.
Cili është problemi më i mprehtë për monumentet tona?
Problemi më i mprehtë është çështja e trajtimit të monumenteve të kulturës me karakter privat, siç janë banesat popullore, të cilat mbushin qytete muzeale si Gjirokastra, Berati, Shkodra, Korça, Elbasani etj. Ato posedohen nga persona privatë, të cilët me raste janë të interesuar e me raste jo, me raste kërkojnë të bëjnë investime në këto banese e herë jo. Përveç kësaj, problem tjetër që lidhet me mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës pronësi private është emigracioni që ka ndodhur pas viteve ‘90. Mjaft banesa janë të braktisura dhe sot ka rënë sensibilizimi për mirëmbajtjen e pronave të trashëguara. Gjithsesi dy-tre vitet e fundit buxheti shtetëror është shtuar e po ashtu interesi për ndërhyrje në objekte të tilla.
Sa janë në numër monumentet më të rrezikuara?
Si institucion jemi në proces të hartimit të listave që lidhen me numrin e saktë të objekteve në rrezik, sepse monumentet janë të shumtë në të gjithë territorin, duhen asistuar, duhen prekur dhe duhen njohur. Edhe gjatë 2010-s, do të vazhdojë puna e nisur që një vit më parë për trajtimin e komplekseve urbane historike. Gjatë 2009-ës u ndërhy në banesat karakteristike të Gjirokastrës, në zonën e Pazarit dhe në kala e po ashtu në lagjet “Mangalem”, “Goricë” dhe në zonën e banuar të kalasë së Beratit, duke pasur vazhdimisht asistencën e UNESCO-s. Gjatë këtij viti, në bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale në Gjirokastër dhe Berat kemi bërë një plan emergjence për të ndërhyrë në ato objekte që kanë probleme rreziku. Vjet u ndërhy në 10 objekte, e po kaq do të jenë edhe ndërhyrjet e sivjetshme. Njëkohësisht po punohet për reformimin e sistemit të trashëgimisë. Ne si specialistë kemi insistuar duke qenë të ndërgjegjshëm se mirëmbajtja e vazhdueshme e monumenteve është faktori kryesor që shpëton rrezikun ndaj monumenteve, që në këtë reformë të parashikohet që pranë Drejtorive Rajonale të funksionojnë ato që ne i quajmë brigada të mirëmbajtjes, të cilat do të merren ekskluzivisht me heqjen e emergjencave në qendrat tona historike.
Herë pas here, ndoshta jo në mënyrë tërësore, reformat kanë parashikuar ngritje strukturash apo shkrirje të tjerash, që shpesh nuk kanë dhënë rezultatin e pritur. Sipas jush, reforma e re e sistemit të trashëgimisë garanton mbrojtje më të mirë të monumenteve?
Reformat janë kryer nga specialistë, përkrahen nga shteti dhe koha është ajo që provon ose rrëzon reformat. Fakti i reformimit dhe zgjidhjet që ne mendojmë të bëjmë me të, janë pasojë e vërtetimit kohor të shumë lëvizjeve që janë bërë ose nuk janë bërë në kuadër të trajtimit të trashëgimisë. është menduar që t’i jepet një zgjidhje disa mangësive, disa problemeve, shqetësime që janë hasur kohët e fundit për një marrëdhënie më të mirë bashkëpunuese mes Institutit të Monumenteve me Drejtoritë Rajonale, për një funksionim dhe shfrytëzim me sa më shumë nikoqirllëk të buxhetit shtetëror, por edhe të buxheteve të tjera. Kjo reformë parashikon që këto vlera që ne mbajmë të kenë një funksion, të integrohen maksimalisht në jetën e sotme dhe të shërbejnë në mënyrë më të gjerë për turizmin kulturor.
#