Linjat ajrore, kundër bllokimit të fluturimeve
Linjat ajrore në Europë kanë bërë dje presion ndaj qeverive të tyre për të rihapur hapësirën ajrore të kontinentit, e cila u mbyll në pjesën më të madhe të saj pas rrezikut që paraqiste vala e hirit të përhapur nëpër Europë për sigurinë e fluturimit. Ndërkohë, ndoshta Komisioni Europian do të vendosë për një paketë kompensimi prej 250 milionë eurosh që është edhe humbja ditore e përgjithshme e kompanive ajrore. Shefi i IATA i kritikoi autoritetet në Europë për vendimin e marrë për ndalimin e fluturimeve prej të cilit kompanitë kanë pësuar financiarisht një humbje më të madhe sesa më 11 shtator të vitit 2001. Gjithsesi, shumë kompani presin që të rimarrin disa nga fluturimet e tyre pas ditës së pestë të ndërprerjes. Sipas shumë specialistëve, ky vullkan ka shkaktuar dëme shumë të mëdha për sektorin e aviacionit. Për këtë arsye, Komisioni Europian po mendon për një paketë kompensimi për humbjet e mëdha. “British Airways”, që thotë se ka pësuar një humbje prej 20 milionë paundësh në ditë bëri të ditur se i ka kërkuar ndihmë BE-së për të përballuar humbjet. Ndërkaq miliona pasagjerë kanë mbetur pa kryer fluturimet e zakonshme dhe janë bllokuar nëpër aeroporte edhe pse disa janë përpjekur që të arrijnë në destinacioninet e kërkuara përmes mjeteve alternative të udhëtimit. Ministrat e Transportit kanë diskutuar dje për problemin e rihapjes së një pjese të hapësirës ajrore. Pritet që të paktën sot të nisë rreth 30% e fluturimeve. Ndërkohë, gjatë fundjavës vetëm një e katërta e tyre është kryer. Dhe sipas shifrave të fundit në kontinent ka pasur gjithsej 80 mijë fluturime më pak për shkak të ndalesave. Dje kanë hapur aeroportet e tyre Austria dhe Republika çeke. Ndërkohë që Italia i hapi dhe i mbylli hapësirat e fluturimit në veri të vendit. Këto ndërprerje kanë shkaktuar vonesa dhe humbje edhe në vendet e tjera dhe linjat e fluturimit jashtë kontinentit. Sipas një komisionereje europiane, Europa mund të përballet me probleme të mëdha ekonomike nëse kjo situatë do të vazhdojë më gjatë. Edhe bizneset janë duke ndier probleme kryesisht ato ushqimore, të cilat furnizohen me produkte jashtë kontinentit. Kështu kanë filluar mungesat në produkte që vijnë nga Azia, por edhe nga Qiproja.
Sipas parashikimeve për ditët e ardhshme të pakta janë mundësitë që situata të ndryshojë dhe reja e hirit të shpërndahet. Megjithatë, aktualisht ajo ka marrë drejtimin për në Perëndim. Ajo është transferuar nga një erë e fortë vende-vende, por situata nuk do të ndryshojë edhe për 3, 4 ditët e ardhshme. Linja ajrore holandeze KLM, e cila bëri disa fluturime testi bëri të ditur se pjesa më e madhe e hapësirave ajrore europiane ishte e sigurt pavarësisht resë së hirit. Kjo kompani ka nisur dje udhëtimet drejt Azisë. Ndërkaq, kjo nuk është situata me disa avionë të NATO-s F-16, të cilët sipas specialistëve kanë pësuar disa probleme pas fluturimit në situatën e pasigurt të hirit. Hiri vullkanik është për nga natyra abrazive dhe mund të gërryejë sipërfaqe të ndryshme. Në temperatura të larta turbinat e motorit mund të fragmentohen dhe kështu i gjithë motori mund të paralizohet. Ky ka qenë shkaku i disa aksidenteve ajrore me të cilat janë përballur avionë të ndryshëm gjatë historisë. Disa prej tyre edhe janë përmbysur me pasoja fatale për pasagjerët. I tillë është rasti i një avioni britanik që u shkatërrua si pasojë e hirit të një vullkani të aktivizuar në Oqeanin Indian në vitin 1982. Sipas zyrës meteorologjike të Islandës duket se në orët e fundit vullkani po lëshon më shumë tym dhe më pak hi, megjithatë sasia e dalë është e mjaftueshme për t’u quajtur problematike. Të gjithë në Europën e prekur nga mungesa e fluturimeve presin që ato të rinisin sa më shpejt, sepse në të kundërt situata do të ishte shumë e vështirë dhe kjo jo vetëm për financat e kompanive të fluturimeve. Por nëse hapësira e fluturimeve do të vazhdonte të ishte e mbyllur për muaj të tërë atëherë kjo do të ndikonte në një rënie me 2 deri 3% të prodhimit bruto të të gjitha rajonit.
#