E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-opozitës: Nuk do bllokoni dot më Kuvendin

TIRANË- Me ndryshimin e fundit në rregulloren e Kuvendit, Kryeministri Sali Berisha i tha dje opozitës gjatë seancës parlamentare, se ajo nuk do mund ta bllokojë më kurrë Kuvendin. “8 vjet jam detyruar të flas në këtë parlament, vetëm në emër të procedurës. Një nen që shtuat në rregullore, kur u larguat nga pushteti, nuk e ndryshuam. E mbajtëm dhe do ta mbajmë. Ai nen përcaktonte një orë debate. Ai nen nuk do preket, do të ketë një orë debat, por meqenëse ju rëndom keni abuzuar, duke bllokuar parlamentin në emër të atij neni, kjo nuk mund të ndodhë kurrë më. Ligji, ligji dhe vetëm ligji do të sundojë në këtë tempull, do të sundojë në çdo rrugë, shesh dhe institucion të këtij vendi. Kjo është kontrata jonë me qytetarët shqiptarë, kjo është kontrata jonë me ju, në respekt të plotë të hapësirave tuaja. Ndaj dhe kjo po kalon, në fund të seancës, jo për t’i hequr fjalën askërkujt, përkundrazi, do të keni të drejtë një orë siç është e përcaktuar në rregullore, por nuk do të mundni kurrë më të bllokoni këtë seancë dhe këtë parlament. Ju mund të përdorni grushte dhe shkelma. Ju mund të bëni ç’të doni, por ky sovran, ky parlament do të funksionojë pa ndërprerë dhe i paintimiduar”, - i tha dje Berisha deputetëve të opozitës. Kryeministri foli edhe për nismën e fundit që grupi parlamentar i PD-së ka ndërmarrë, duke kufizuar imunitetin përmes një shtojce në rregullore. “Ky ndryshim që ju kërkoni do të hiqet nga rregulloja, që në momentin kur ju të sillni këtu në parlament, si një dëshmi e vullnetit të vërtetë, për të ndihmuar vendin tuaj, amendimin e Kushtetutës së Shqipërisë. Nëse ju jeni kundër këtij amendimi të rregullores, unë ju garantoj se do të jetë provizor, silleni amendimin e Kushtetutës, nëse e keni me zemër, dhe unë këtu në fjalën time nuk do të bëj gjë tjetër veçse t’u falënderoj ju, një nga një, për amendamentin që keni sjellë”, tha Berisha. Duke iu referuar protestave të opozitës, Berisha tha se mazhoranca do t’i garantojë plotësisht ato, sikundër, sipas tij, ligji dhe vetëm ligji do të veprojë në rast se do të ketë dhunë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›