E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhjetëra banorë të Leskovikut rikonvertohen në shqiptarë

SHKRUAN: Irena Vreto 17-02-2011 10:43

Korçë- Rikthehen në shqiptarë 72 banorë të Leskovikut, të konvertuar në grekë 2 vjet më parë. Ndonëse janë pajisur me dokumente greke dhe kombësia e tyre figuron ajo e shtetit fqinj, banorët e qytezës së vogël të Leskovikut, të cilët e kishin fituar këtë të drejtë për ndërhyrje në regjistrin e Gjendjes Civile, janë kthyer sërish në origjinë. Ndërkaq gjatë të mërkurës janë bërë korrigjimet e duhura në regjistrin themeltar të Gjendjes Civile në bashkinë e lartpërmendur. Gjithçka ka filluar pas një kontrolli të befasishëm nga një grup inspektimi nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë në Gjykatën e Korçës, ku u gjetën shumë shkelje ligjore lidhur me ndryshimin e kombësisë. Plot 72 persona nga Leskoviku, të cilët kishin ndërruar kombësinë shqiptare në greke para më shumë se dy vjetësh e kanë rimarrë atë vetëm gjatë të enjtes. Ka qenë Gjykata e Korçës e cila e nxitur nga kontrolli i KLD-së për këtë çështje ushtroi nga ana e saj kontrolle në zyrat e gjendjes civile në Leskovik, ku u konstatuan parregullsi të shumta në regjistrin e gjendjes civile. Gjykata ka vërejtur se një ish-punonjës i gjendjes civile në Leskovik, Filip Koçillari, kundrejt pagesës ndërronte kombësinë shqiptare në greke të interesuarve, dhe këtë gjë e kishte kryer për 72 persona. Këtë akt të paligjshëm ai e ndërmerrte duke falsifikuar dokumentet e kombësisë. Gjykata e Korçës e dënoi me 5 vjet burg dhe 3 milionë lekë gjobë Filip Koçillarin, i cili u akuzua për ndryshime kombësie në shkelje të plotë të ligjit dhe kundrejt përfitimit të parave. Ndërkaq ky vendim u la në fuqi dhe nga Gjykata e Apelit në Korçë. Pas kontrolleve në fjalë është kërkuar korrigjimi i regjistrit të Gjendjes Civile të Leskovikut. Procedura ka nisur menjëherë, në të cilën të 72 personat do të rishënohen me kombësinë e tyre, të ndërruar në vitin 2008. Korrigjimi është bërë në bazë të një vendimi të Gjykatës së Shkallës së Parë të Korçës, i cili shpall fajtor përgjegjësin e Zyrës së Gjendjes Civile në Bashkinë e Leskovikut, Filip Koçillari, për falsifikim të akteve të gjendjes civile dhe urdhëron korrigjimin e akteve në regjistrat e gjendjes civile. Tashmë drejtësia ka vënë në vend një shkelje që sipas saj ka qenë jo vetëm ligjore por dhe me një sfond që shkonte përtej asaj të dispozitave ligjore. Në fakt regjistrimi i popullsisë dhe debati i hapur për këtë argument me pretendimet e minoritetit grek, ka zgjuar interesin edhe të numrit dy të KLD-së, Kreshnik Spahiu, i cili vetëm gjatë javës së kaluar ka ndërmarrë një udhëtim drejt Korçës, për të zhvilluar një takim me gjyqtarët e juglindjes, por dhe për të nisur një kontroll të befasishëm mbi të gjitha dosjet gjyqësore që kishin si tematikë ndërrimin e kombësisë. Rezultatet e kontrollit nuk janë bërë të ditura,. Ndërkohë që Gjykata e Korçës kishte dënuar disa kohë më parë shtetasin Filip Koçillari me 5 vjet burg për ndryshimin e kombësisë pas falsifikimit të dokumenteve zyrtare. Koçillari, ish-punonjës i gjendjes civile mori dënimin dhe bashkë me të dhe një gjobë, ndërkohë që të 72 grekëve, tashmë u është “mohuar” e drejta për t’u cilësuar si të tillë, pasi janë kthyer sërish në shqiptarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›