Debate mes Topallit, Dokles dhe Berishës
Jozefina Topalli: Po të lexoj nenin 27, i cili ka të bëjë me kalendarin e punimeve dhe thotë “Një kryetar grupi parlamentar, ose 7 deputetë, mund të paraqesin me shkrim propozime për ndryshime në kalendarin e punimeve. Kuvendi vendos me votim të hapur, pasi dëgjon për jo më shumë se 5 minuta një folës pro dhe një folës kundër ndryshimeve të paraqitura. Zoti Dokle, keni 5 minuta kohë.
Namik Dokle: Ky është kalendar i ri, ne e kemi diskutuar në Konferencën e Kryetarëve, kemi qenë kundër kësaj gjëje dhe kemi të drejtë të flasim 10 minuta për kundërshtimet tona.
Topalli: Ajo që ju lexuat ka të bëjë, kur në Konferencën e Kryetarëve diskutohet kalendari 3-javor. Ka të drejtë grupi, 10 minuta njëri, 10 tjetri kur diskutohet kalendari 3-javor. Në rastin konkret ne jemi në një ndryshim të kalendarit.
Dokle: Zonjë kemi shkelje të rregullores megjithatë unë do vazhdoj fjalën time pastaj ju po deshët ndërpriteni. Unë kam të drejtë të flas 10 min dhe nëse kaloj një sek nga 10-minutëshi mund të ma prisni fjalën. Seanca e sotme është një atentat tjetër, shumë i rrezikshëm kundër parlamentarizmit! Një atentat që në thelb i vë minat funksionimit normal, dialogut politik, respektit ndaj vlerave të përfaqësimit. Një atentat që do të thotë se tani e tutje, në Shqipëri nuk ka vlerë Kushtetuta, nuk ka vlerë ligji, nuk ka vlerë rregullorja. Një atentat që do të kujtojmë se tani e tutje, në Shqipëri dhe në Kuvendin e saj, do të zbatohet vetëm urdhri dhe firma e Sali Berishës dhe shpikjet absurde të Jozefina Topallit. Doni të bëni represion mbi opozitën, doni ta nënshtroni, t’i mohoni lirinë e fjalës, madje edhe me procedurë të përshpejtuar. Erdhët sot këtu me një çorbë antikushtetuese dhe antiligjore! Opozita jo vetëm që nuk do ta hajë çorbën tuaj, por refuzon t’i marrë edhe erë. Qelbet një kilometër larg kjo çorbë antidemokratike....
Topalli: Zoti Dokle mbaroi koha. Zoti Patozi për të mbrojtur nismën tuaj.
Dokle: Kam të drejtën e fjalës. Po flas në emër të grupit dhe më lër të mbaroj.
Topalli: Kuvendi vendos me votim të hapur, për jo më shumë se 5 minuta, një pro, një kundër. Zoti Patozi, keni 5 minuta. Rregullorja respektohet pikë për pikë. Ju keni qenë kryetar, ju e dini sa i rëndësishëm është rregullorja.
Dokle: Unë nuk lëviz nga këtu pa mbaruar.
Topalli: Rregullorja është rregullore për Namik Doklen për Astrit Patozin dhe për këdo tjetër.
Dokle: Nuk kam mbaruar. Po flas për rendin e ditës, kalendarin, çfarë Parlamenti, çfarë rregullore është kjo, çfarë demokracie është kjo.
Topalli: Zoti Dokle, ju keni qenë kryetar Kuvendi dhe e dini sa e rëndësishme është rregullorja. Ndaj lejoni të tjerët të flasin.
Dokle: Ti organizon një seancë të jashtëzakonshme të mërkurën, që s’ka ndodhur asnjëherë më parë. Ti ndryshon si të duash rregulloren dhe nuk lë opozitën të flasë. Ça rregulloreje më kujton mua?
Topalli: Zoti Dokle, ju lutem iu tërheq vëmendjen në bazë të nenit 64, mos bllokoni foltoren ju lutem. Në bazë të nenit 64/2 keni vërejtje. Një ish-kryetar Parlamenti, gjëja më e shëmtuar që mund të bëjë është të bllokojë seancën dhe mos respektojë Rregulloren. Keni vërejtjen për herë të tretë dhe këto regjistrohen në procesverbal. Unë pas seancës plenare do mbledh byronë për zotin Dokle, për tentativë të bllokimit të seancës plenare. Zoti Dokle, uluni.
Dokle: Po cenohet parlamentarizmi, ti më flet mua do mbledh byronë. Kë kujton se do trembësh me këtë?
Topalli: Po, do mbledh byronë për të gjykuar për këtë sjellje të pahijshme. Ju lutem, lironi foltoren dhe respektoni nenin 27 dhe rregulloren në tërësi. Zoti Patozi ka fjalën.
Dokle: Ju doni të na ndërprisni fjalën ne.
Topalli: Keni 4 minuta që po bllokoni parlamentin. Me shumë njerëzi, po iu kërkoj respektoni parlamentin. E paparë që një ish-kryetar të bllokojë Parlamentin, të shkelë Rregulloren. Pasi të pini ujin, uluni dhe lejoni seancën të zhvillohet.
Dokle: Unë po pi ujë zonja kryetare, se nuk jam i qetë, se në bulevard u vranë 4 njerëz të pafajshëm.
Topalli: E vetmja mënyrë për të ruajtur Parlamentin është të respektoni rregulloren.
Kjo është gjëja më e padenjë për një ish-kryetar. E pahijshme. zoti Patozi, keni të drejtë të mbroni kërkesën tuaj, për të diskutuar sot për heqjen e imunitetit. Kjo është thelbësorja, është një vullnet politik që z.Patozi do i paraqesë këtu.
Astrit Patozi: Kjo është një seancë shumë normale, pavarësisht përpjekjes së dëshpëruar z.Dokle për ta prishur dhe për ta tensionuar këtë seancë. Unë nuk t’ia lejoj vetes të merrem me fjalimin e përgatitur të z. Dokle, për shkak se nuk kanë lidhje me seancën e sotme.
Sali Berisha: Nuk kam kurrë ndërmend të kufizoj as edhe një fjalë opozitës.
Arben Malaj: Mos na fol për rregulloren këtu, po na fol për ata që vrave, ata katër që u vranë
Berisha: Të respektohet plotësisht, sikundër po flet Shqipëria për ta, por flet Europa për ta, po flet bota për ta. Nuk keni vesh ti dëgjoni. Vazhdoni, në qoftë se ju intereson, por një gjë ju them, sot jeni forca e vetme politike në kontinent, forcë dhune.
Arben Ahmetaj: Prandaj i vrave ata katër.