Berisha pas marrëveshjes PS-LSI: Majtistët firmosën epitafin e Rilindjes mavi
Kryeministri Berisha, teksa merrte pjesë në një aktivitet me rastin e Ditës së Tokës, duke mbjellë disa pemë bashkë me kryebashkiakun Lulzim Basha ka sulmuar aleancën e re Meta-Rama, tashmë të zyrtarizuar duke ironizuar konferencën e PSE të mbajtur ditën e sotme në Shkodër.
Ne këtu mbollëm pemë, dhe ndodhi në të njëjtën ditë që ata firmosën epitafin e Rilindjes. Por për ironi të fatit ata që ua themeluan partinë, jua rithemeluan përsëri sot, tha Berisha, duke iu referuar socialistëve europianë.
Më tej kryeministri iu referua ndryshimeve pozitive që ka pësuar kryeqyteti gjatë drejtimit të Lulzim Bashës, duke ironizuar edhe një herë kundërshtarin e vet politik, Edi Rama për atë që e cilësoi si pallati në pajë i bashkëshortes së tij, Linda Basha.
Ky që shihni nuk është një pallat në pajë, por një terren ku do të lozin të gjitha banorët e këtij blloku. Uroj që terrene të tilla të bëhen sa më shumë. Kryetari i bashkisë është angazhuar se do të kthejë terrenet sportive të shkatërruara dhe sipërfaqet e gjelbra, u shpreh kreu i qeverisë.
Berisha në FCB: Ata që ua themeluan partinë në nëntor të vitit 1941, jua rithemeluan atë në prill të vitit 2013
Por Kryeministri Berisha e ka komentuar edhe në faqen e tij në rrjetin social Facebook marrëveshjen PS-LSI, duke ironizuar ambientin dhe personalitetet e majtë europianë që ishin të pranishëm gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.
Të dashur miq, sot në Shkodër majtistët firmosën epitafin e Rilindjes mavi. Për koincidencë apo ironi të fatit pikërisht ata që ua themeluan partinë në nëntor të vitit 1941, jua rithemeluan atë në prill të vitit 2013. Gazetarët dhe kronikanët e partive të tyre, që po kërkonin me ngulm në çdo qoshe, dhomë, madje dhe tualet të ndërtesës hijet e Dushan Mugoshës apo Bllazho Jovanovicit si dëshmitarë të aktit të rithemelimit, u qetësuan kur mësuan se në mungesë të tyre aktin e rithemelimit të Partisë rozë mavi e kishin formuluar me kujdesin atëror Vojo Koshtunica dhe Oliver Mugosha. Ndërsa për hymnin e këtij akti, Rama kishte zgjedhur Marshin mbi Kosovën të Goran Bregovic, të njeriut që Rama i vari Çelësin e Artë të kryeqytetit të Shqipërisë kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës. Udhë të mbarë drejt të shkuarës! Ne jemi ndryshimi, Përpara, shkruan kryeministri në FCB.
22 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)
Berisha pas marrëveshjes PS-LSI: Majtistët firmosën epitafin e Rilindjes mavi burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email