E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha pas raportit të OSBE: Një qëllim madhor u realizua

Jam sot këtu, për të përshëndetur raportin përfundimtar të OSBE dhe ODIHR-it, publikuar këtë pasdite mbi zgjedhjet në Shqipëri. Para se të bëj komentet e mia, dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen më të thellë OSBE-së, Zyrës së saj në Tiranë, Zyrës së saj në Varshavë, Vjenë, Asamblesë Parlamentare, ODIHR-it, por edhe të gjithë vendeve që dërguan një numër të madh vëzhguesish në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Ky është një raport dinjitoz për një vend të lirë. Raporti i OSBE/ODIHR-it karakterizohet nga një vërtetësi e madhe, nga një vlerësim objektiv. Në fillim të këtij raporti theksohet se zgjedhjet shënuan progres thelbësor, qenësor në lidhje me regjistrimin e zgjedhësve, procesin e identifikimit të tyre, votimin, numërimin dhe shqyrtimin e ankesave.
Raporti thekson se zgjedhjet përmbushëm shumicën e zotimeve të OSBR/ODIHR-it. Dhe ajo çka është më kapitale thekson se nuk ka pasur prova për numërim të parregullt, apo manipulim të rezultateve.
Në raport, evidentohen të gjitha përparimet e bëra, me infrastrukturën ultramoderne, listat e zgjedhësve, letërnjoftimet e identitetit elektronike, evidentohet progresi i madh në përzgjedhjen konsensuale, përgjegjshmëria dhe transparenca ligjore e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Por, edhe një herë dua të ritheksoj se raporti shkruan “nuk pati asnjë provë për numërim të parregullt apo manipulim të rezultateve”. Ky është raporti më i mirë që është lëshuar për zgjedhjet në Shqipëri. Ky raport është i ngjashëm me raportet e vendeve të tjera në rajon dhe në Europë. Natyrisht, raporti evidenton një seri dobësish dhe të metash. Ai shprehet qartë se këto zgjedhje nuk shfrytëzuan plotësisht potencialet e Shqipërisë për t’iu bashkuar standardeve më të larta për zgjedhje demokratike. Pra, standardet më të larta dhe vetëkuptohet që ato janë për t’u përcaktuar si objektiv, por që duan edhe kohën e tyre për të arritur lartësinë maksimale. Sidoqoftë raporti evidenton edhe një seri të metash e problemesh, të cilat do të adresohen me seriozitetin më të madh në programin e qeverisë sime, do të konsiderohen një për një, për t’iu dhënë përgjigjen më të mirë.
Po ju lexoj raportin e vitit 2001: Procesi zgjedhor ishte i tejzgjatur, konfliktual, i pasigurt dhe i fragmentuar. Megjithëse vlerësimi fillestar ishte më pozitiv, pas raundit të parë të votimit, procesi zgjedhor i tejzgjatur, si dhe shkeljet e përsëritura dhe gjithnjë e më serioze në raundet e tjera të zgjedhjeve, veçanërisht në zonën 60 bindën OSBE/ODIHR-in për nevojën e modifikimit të vlerësimit të tyre për këto zgjedhje në tërësi. Menjëherë pas përfundimit të procesit, opozita i paraqiti OSBE/ODIHR-it prova thelbësore rreth këtyre shkeljeve.
Në vitin 2005, raporti thekson se zgjedhjet përputhen vetëm pjesërisht me angazhimet e OSBE/ODIHR-it.
Siç e shihni, një qëllim madhor u realizua. Shqipëria nuk është më delja e zezë e Ballkanit për zgjedhje jo të mira.
Duke falënderuar për punën dhe vlerësimin objektiv që kanë bërë, i garantoj këto institucione se qeveria ime do të marrë më seriozitetin më të madh të gjitha sugjerimet, rekomandimet dhe vërejtjet e bëra. Por, nga ana tjetër, dua të ftoj kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama të lexojë këtë raport, të heqë dorë nga skenarët virtualë, nga dhunime inekzistente, nga shpikje dhe trillime. Unë kisha bindjen se ky ka qenë numërimi më i shkëlqyer në historinë e këtij vendi, se, përndryshe, do të ishte e pamundur që 20 e ca mijë komisionerë të të gjitha forcave politike të firmosnin të gjitha procesverbalet, pa as edhe një vërejtje; përndryshe do të ishte e pamundur që 7 anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të votonin unanimisht për çdo mandat. Unë i them zotit Rama se çfarë do të mund të vinte në verbëri dhe shurdhëri mediat e pavarura shqiptare, të cilat kanë luajtur një rol parësor në denoncimin e të gjitha parregullsive në të gjitha zgjedhjet e shkuara. Ndërsa në këto zgjedhe ato u faktuan shqiptarëve votimin më të qetë dhe më të mirë në historinë e tyre. Pra, shpresoj se ky raport ta bindë zotin Rama se vendi i deputetëve të partisë së tij është në parlament, të heqë dorë nga krijimet, ka 6 javë që merret me të burgosurit që janë lejuar të votojnë pranë familjeve të tyre. E dini se në zgjedhjet e vitit 2005 janë liruar dhe kanë shkuar në shtëpitë e tyre mbi 200 të burgosur, me firmën e burrit të kreut të listës së Partisë Socialiste dhe ju e dini se kush është kreu i listës së PS-së, jo zoti Rama, por zonja Hysi. Dhe ne kemi folur vetëm për një rast në Pogradec, pasi, sigurisht, edhe të burgosurve do t’u jepet leje në raste të tilla, si festa, votime, për Bajram, Pashkë apo Krishtlindje, për dasma dhe për këtë ka një procedurë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›