Berisha përgatitet për mandatin e tretë, Rama për bojkotin
Afrimi i zgjedhjeve po sqaron edhe perspektivat e poleve politike. Kryeministri Berisha njoftoi se tashmë janë gati edhe detajet për një fushatë që do sjellë një mandat të tretë qeverisës, ndërkohë që në agjendën e opozitës, në rend të parë mbeten alibia e humbjes, apo edhe bojkotimi i krejt procesit elektoral
Të gjitha sondazhet e porositura nga PS, e nxjerrin Ramën në një falimentim total
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kreu i kësaj force politike njëherësh kryeministri i vendit, Sali Berisha akuzoi kreun e PS, Edi Rama se do ushtrojë bojkotin e tretë, pas humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit. Sipas kryeministrit, lidershipi socialist po përgatit justifikimin e humbjes së radhës, pasi rezultatet e exit poll-it e nxjerrin Partinë Socialiste humbëse në të gjitha kalkulimet elektorale në 12 qarqet e vendit.
Ndërkohë që, Berisha garantoi vendosmërinë e mazhorancës për përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Ne përgatisim qeverisjen e mandatit të tretë, zotëria përgatit kuadrin e bojkotit të tretë. Por, në një vend të lirë, secili bën zgjidhjet e tij. Çështje madhore janë reformat. Të dashur deputetë dhe deputete, qytetare e qytetarë, detyrat më kryesore tonat gjatë këtyre muajve mendoj se janë dy dhe vetëm dy. Së pari, përgatitja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ne kemi të gjitha kushtet, infrastrukturën dhe vullnetin e hekurt për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne si qeveri jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për këto zgjedhje. Natyrisht konstatojmë se Edi Rama po përgatit justifikimin e humbjes së radhës. Dy muaj më parë ju ra sirenave brenda dhe jashtë vendit, shkroi me dhjetëra letra në të katër anët, duke u thënë shqiptarëve dhe të huajve se Berisha po më merr mandatin, kërkoi komision hetimor parlamentar për projektin, të cilin e bllokoi në KQZ, kërkoi shkarkimin e zotit Noka, mblodhi të gjithë përfaqësuesit e trupit diplomatik dhe pas dy muajsh, tani që e sheh se deputetin e Beratit mund ta marrë LSI-ja (se nuk ka arsye tjetër, unë nuk e di kush e merr, as nuk mund të paragjykoj), tani i duhet të akuzojë përsëri, kthehet dhe thotë: të kthehemi te varianti i parë. Ai po përgatit post 23 qershorin. Duhet ta dinë shqiptarët që edhe pollet e nxjerrin përtokë dhe janë polle të bërë nga krahu i tyre, jo i yni. Kjo është e vërtetë absolute”, u shpreh kryeministri, ndërsa ironizoi afrimet e reja në Partinë Socialiste.
“Për të dalë përpara rezultatit që do ta dinë shqiptarët shpalli se do të marrë 72 deputetë dhe hoqi Dash Pezën dhe mori Alfred Pezën. Do të shkëputet nga Babë Myslymi, se ka marrë Lili Hoxhën. Pra, të gjitha këto janë një kaos i tij i vërtetë”, tha ai.
Kreu i ekzekutivit deklaroi se pavarësisht qëndrimit të opozitës, mazhoranca do avancojë projektin e integrimit evropian të Shqipërisë.
“Sidoqoftë ne, zotërinj deputetë, do të ecim të vendosur për procesin e integrimit dhe duhet të bëjmë gjithçka në funksion të këtij procesi. Duhet të vazhdojmë me vendosmëri reformat. Ky është drejtimi ynë i dytë. Të gjitha reformat ekonomike, të sigurisë e rendit dhe reformat në luftën kundër korrupsionit duhet të ndërmerren me vendosmërinë më të madhe”, theksoi Berisha.
Duke u ndalur te sulmet e kryesocialistit ndaj forcave të rendit, kryeministri tha se Rama bën fushatë me policët e përjashtuar për trafiqe dhe të burgosur nga vetë PS, si dhe me Gramoz Ruçin dhe Luiza Xhuvanin, fëmijët e të cilëve janë me precedentë të rëndë penalë.
“Edi Rama është në panik total. Ka ditë që del e sulmon forcat e rendit, për fajin e vetëm të tyre që kanë absolutisht njërin prej treguesve më të lartë që mund të ekzistojnë në zbulimin dhe goditjen e krimit. Po, kurrë ndonjëherë nuk ka ekzistuar ndonjë shkallë zbulueshmërie dhe goditjeje të krimit, sesa ekziston sot. Në ditën e parë kishte vendosur në njërin krah Gramoz Ruçin, në krahun tjetër zonjën Xhuvani, pas shpine Hakmarrjen për Drejtësi. Po, i kishte aty dhe me këta premtonte rendin. Kishte mbledhur të gjithë policët e përjashtuar për trafiqe dhe të burgosur nga vetë PS, për vjedhje dhe shpërdorime gjatë qeverisë së tyre dhe zotohej për rendin. Shpalli rrogat e policëve të vitit 2005 si rroga të sotme, pasi i thoshte Pjerin Ndreu se këto janë, nga dita që ka dalë Pjerini në lirim. Dhe pastaj, kur e kuptoi gafën, filloi të fantazoi me statistikën e tij. Pavarësisht nga këto, ne nuk duhet të përfitojmë nga konfuzioni i kundërshtarit, nga paniku i kundërshtarit. Ne duhet të vazhdojmë përpjekjet me vendosmërinë tonë më të madhe për reforma në të gjithë sektorët, në mënyrë që makineria e reformave të mos njohë të ndalur për shkak të fushatës elektorale. Ato do të vazhdojnë siç e kemi nisur, do të përfshijnë të gjitha fushat dhe unë jam i bindur se po hidhen bazat më të shkëlqyera, më solide, për të pasur mandatin e tretë, mandatin e Shqipërisë së zhvilluar europiane, mandatin e suksesit më të madh në të gjithë historinë e qeverisjes së Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj”, deklaroi kryeministri Sali Berisha.
...