Berisha përkujton Holokaustin: Hebrenjtë, racë fisnike. Kryeministri sulmon Iranin
Kryeministri mbledh Kuvendin në një seancë të posaçme për Holokaustin pas kthimit nga SHBA. Berisha i quan çifutë, por edhe racë fisnike, duke përdorur vetë terma me ngjyrim racist. Kryeministri tha se Holokausti nuk do kishte këto përmasa nëse nuk do spiunonin fqinjët e hebrenjve
Pak ditë pas rikthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ishte në një vizitë ku fjala Holokaust u shfaq shumë shpesh, për faktin se SHBA dhe Izraeli vlerëson ndjeshëm faktin që shqiptarët i ruajtën hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, Berisha foli sërish për këtë çështje, kësaj here në një seancë të posaçme të Kuvendit të Shqipërisë.
Në SHBA, Berisha mori një çmim për pluralizëm kulturor me motivacionin për kontributet e jashtëzakonshme në çuarjen përpara të kauzës për përkujtimin e Holokaustit, duke vendosur të vërtetën historike dhe promovuar ruajtjen e trashëgimisë kulturore të shtetasve amerikanë në Shqipëri. Dhe në këtë seancë përkujtimore, Berisha synoi të çonte përpara kauzën e përkujtimit të Holokaustit.
I ngarkuar me emocione në fjalimin e tij, Berisha i quajti raca fisnike e njerëzimit, ajo e hebrenjve.
Berisha tha se Holokausti nuk do ishte në ato përmasa nëse kombet e tjera nuk do kishin vepruar si shqiptarët. Unë pata rastin të vizitoj muzeun e Holokaustit. E para gjë që më vinte ndërmend mua ishte diktaturat janë të këqijat më të mëdha të kësaj toke. Holokausti nuk mund të ndodhte në ato përmasa, në qoftë se fqinjët shekullore nuk do ushqenin makinerinë naziste të vdekjes me spiunimet dhe dorëzimet e qenieve të pafajshme, tha Berisha, që nuk la pa përdorur edhe termin çifut, që shpesh merr edhe konotacion negativ. I përkisnin etnisë çifute, etnisë që kishte kontribute të mëdha në këtë qytetërim.
Ahmet Zogu nuk mbylli dyert për hebrenjtë, i hapi kufijtë dhe konsullatat e tij për të bërë atë që mund të bënte mbreti më i varfër i Europës në shërbim të tyre. Shpëtuan mbi 2 mijë hebrenj dhe e renditën kombin në krye të shpëtimtarëve. Nuk duhet të harrojmë Holokaustin sepse gjenocidet, krimet kundër njerëzimit dhe spastrime etnike kemi përjetuar edhe pak vite më parë, tha Berisha.
Kryeministri nuk la pa sulmuar edhe presidentin e Iranit, Ahmedinaxhad, që pati deklaruar se do e zhdukë nga faqja e dheut Izraelin.
Sërish ka shtete që kërcënojnë se do fshijnë nga faqja e dheut Izraelit, por sot një vetëdije tjetër njerëzore, tha Berisha.