E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali me gërryerjen e lumenjve, çamët distancohen nga sekseri, republikanët thonë se do marrin masa

Share

Tani të flemë të qetë. PDIU distancohet nga sekserët, Arjan Madhi i republikanëve premton ndëshkim sipas Kodit Zgjedhor, ups, Kodit të Punës kurse Pal Dajçi shprehet i irrituar. Të gjithë lumenjtë do rrjedhin … pa i prekur kush

Skandali i publikuar nga emisioni Fiks Fare, ku me një ryshfet prej 3 mijë eurosh mund të merrje leje për të gërryer në lumenj ku të duash, ka sjellë edhe disa reagime.

Në emisionin Fiks Fare tregohej se si drejtori i Baseneve në Lezhë drejtonte gazetarët për tek një sekser që do u mundësonte atyre të mos prekeshin nga Inspektorati Urbanistik Kombëtar. Sekseri ua siguron atyre lejen përkundrejt 3 mijë eurove, ndërkohë që në bisedë e sipër tregon se si Inspektorati Urbanistik Urbanistik Kombëtar, që është marrë me marrëveshje nga PDIU, ose partia e çamëve, është pushtuar nga njerëzit e kësaj partie, që janë lëshuar si qentë për lek.

Por në një reagim sot, Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar është distancuar nga sekseri.

INUK distancohet nga këta persona, që në emër të drejtuesve të institucionit ofrojnë ryshfetin në këmbim të zgjidhjeve. INUK do të bëjë kallëzim penal për të gjithë personat që abuzojnë padrejtësisht me emrin e institucionit dhe punonjësve të tij, thuhet në deklaratën e INUK.

Por më të ashpër janë treguar ata të Ministrisë së Mjedisit të Fatmir Mediut, që kanë në varësi Këshillin e Ujërave dhe Baseneve. Dhe para kamerave ka dalë as më shumë e as më pak, por republikani Arjan Madhi, që tani qenka drejtor i këtij këshilli. Tanimë është normale që kur një parti e vogël merr një dikaster, ta kthejë atë në një çiflig të partisë.

Arjan Madhi, që është shfaqur para mediave për të folur vetëm për reforma zgjedhore, nuk zhgënjeu as kësaj here kur përpara kamerës së Top Channel tha: Ne na mbetet të mbajmë qëndrim në përputhje me Kodin Zgjedhor për ndëshkimin e këtij rasti”. Dhe e korrigjoi me shpejtësi duke thënë Kodin e Punës.

I shqetësuar u shfaq edhe Pal Dajçi, prefekti i qarkut të Lezhës, që është dhe kryetar i Bordit të Basenit të lumit Mat. Ai ka kërkuar thirrjen urgjente të bordit për rastin korruptiv të publikuar nga ‘Fiks Fare’ një natë më parë.

Dajçi thotë se është njohur nga media dhe do kërkojë më shumë informacion për materialin e transmetuar si dhe distancohet nga këto veprime.

“Veprimi është i dënueshëm. Unë në rolin e drejtuesit të Këshillit të Basenit, Mat do të marrim këtë denoncim që bën “Fiks Fare’ dhe në ditët në vazhdim do të dalim me masat për secilin nga aktorët e kësaj veprimtarie të paligjshme. Ne distancohemi nga këto veprime të paligjshme në shfrytëzimin e inerteve në basenit e lumit Mat”, tha Dajçi.

Tani të flemë të qetë. Lumenjtë do të rrjedhin lirshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›