Berisha pershendet renien e Gheddafi

Kreu i qeverisë ka theksuar se dita e sotme shënon fundin e regjimit diktatorial, gjysmë shekullor të popullit libian.
Në një deklaratë për shtyp në faqen zyrtare të kryeministrisë thuhet:
“Kryeministri Berisha përshëndet rënien e Tripolit, kryeqytetit të Libisë, nga sulmi i gjithanshëm i luftëtarëve të opozitës, duke shënuar kështu fundin e regjimit diktatorial, shtypës, gjysmë shekullor të Muhamer Gheddafi dhe një fitore historike për popullin libian, NATO-n, vendet anëtare dhe miqtë e tjerë të lirisë së tij, në mbarë botën”.
“Shqiptarët që kanë përjetuar për rreth gjysmë shekulli regjimin më barbar në Europën e pasluftës së Dytë Botërore të diktatorit gjakatar Enver Hoxhës ndajnë me popullin mik libian kënaqësinë e kësaj fitoreje të madhe që shënon për libianët daljen nga epoka e shtypjes dhe terrorit shtetëror dhe hapjen e rrugës për ndërtimin në liri të shtetit ligjor, të bazuar në respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të individit, barazinë para ligjit, epërsinë morale të pajtimit kombëtar si kushte sine qua non, për një të ardhme të ndritur që qytetarët libianë meritojnë”.