Kryeministri Berisha, përshëndet rënien e Tripolit

Kryeministri Sali Berisha, përshëndet rënien e Tripolit, kryeqytetit të Libisë, nga sulmi i gjithanshëm i luftëtarëve të opozitës, duke shënuar kështu fundin e regjimit diktatorial, shtypës, gjysmë shekullor të Muhamer Gedafit dhe një fitore historike për popullin libian, NATO-n, vendet anëtare dhe miqtë e tjerë të lirisë së tij, në mbarë botën.
“Shqiptarët që kanë përjetuar për rreth gjysëm shekulli regjimin më barbar në Europën e pasluftës së Dytë Botërore të diktatorit gjakatar Enver Hoxhës ndajnë me popullin mik libian kënaqësinë e kësaj fitoreje të madhe që shënon për libianët daljen nga epoka e shtypjes dhe terrorit shtetëror dhe hapjen e rrugës për ndërtimin në liri të shtetit ligjor, të bazuar në respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të individit, barazinë para ligjit, epërsinë morale të pajtimit kombëtar si kushte të mira për një të ardhme të ndritur që qytetarët libianë meritojnë” thuhet më tej në këtë deklaratë.