Berisha:Privatizimi, baza e reformave ekonomike

Kryeministri Berisha priti delegacionin e Kosovës të kryesuar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj. Ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj, parashtroi një plan zhvillimi dhe bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve. Ai paraqiti situatën e sotme ekonomike të Kosovës dhe proceset e privatizimit të sektorëve strategjik të telefonisë dhe energjisë. Ai shprehu besimin se sidomos me kushtet e reja të krijuara, bashkëpunimi i sektorit privat të dy vendeve ka mundësi të rritet edhe më shumë, nga shfrytëzimi i hapësirës së krijuar nga ndalimi i produkteve serbe. Nxitja e bashkëpunimit duhet të synojë si fushën e investimeve ashtu edhe atë tregtare.
Sektori i prodhimit të energjisë është një sektor tjetër me prioritet për qeverinë e Kosovës, ku ka fushë të madhe bashkëveprimi. Kombinimi i burimeve të energjive të rinovueshme të Shqipërisë me burimet e prodhimit të energjisë nga pasuritë natyrore të Kosovës , si lignit, përben një bazë të fortë për integrimin e sistemeve energjetik të të dy vendeve.
Kryeministri Berisha i quajti këto vendime të guximshme si shumë të rëndësishme për zhvillimin e shpejtë ekonomik të Kosovës duke iu referuar shembullit qeverisës të Shqipërisë, e cila falë privatizimeve arriti të ngrejë të ardhurat për frymë nga 204 dollarë në 1992, në rreth 800 dollarë sot.
Është tashmë e faktuar , tha kryeministri Berisha, që menaxhimi i suksesshëm dhe efiçensa e ekonomisë qëndron në anën e sektorit privat. Në këtë kuadër ai theksoi se edhe ekonomia shqiptare është bazuar thellësisht në privatizime, të cilat janë drejt përfundimit duke mbajtur në sektorin publik vetëm disa asete të rëndësishme energjitike, asetet e sektorit të arsimit dhe të shëndetësisë.
Kryeministri Berisha tha se qeveria e Kosovës, ashtu si Shqipëria, duhet ta bazojë rritjen ekonomike të Kosovës dhe të mirëqenies të qytetarëve të saj, në shfrytëzimin efiçent dhe transparent të pasurive natyrore të saj, sidomos në sektorin e energjisë.
Synimi final i të dy vendeve është dhe duhet të jetë rritja e të ardhurave për frymë dhe përmirësimi i standardeve të jetesës. Bashkëpunimet tregtare, në fushën e energjisë, si dhe në fushën e bujqësisë dhe agro-biznesit, janë në qendër të vëmendjes të qeverisë shqiptare dhe bashkërendimi i punës në këtë drejtim me qeverinë e Kosovës është i rëndësishëm për zhvillimin e shpejtë të ekonomive të dy vendeve.
Kombinimi i burimeve natyrore të prodhimit të energjisë të të dy vendeve dhe lidhja e sistemeve energjetik me qëllim unifikimin e tyre, nuk është gjë tjetër veçse rruga drejt krijimit të një modeli të suksesshëm energjetik .
Ndërtimi i linjave të transmetimit si ajo Tiranë-Prishtinë , jo vetëm forcon integrimin e sistemeve energjetike, por rrit edhe efiçencën e funksionimit të tyre, duke kursyer 20% të burimeve energjitike.