Beja, para nisjes: Do të ketë negociata të gjata
Pak çaste para nisjes drejt Brukselit, njëri nga pjesëmarrësit e mazhorancës në tryezës e Strasburgut, z. Fatos Beja, paralajmëroi negociata të tejzgjatura mes demokratëve dhe socialistëve. Kryetari i Komisionit të Jashtëm, Beja, u shpreh se mazhoranca nuk po toleron në këtë takim të dyfishtë, por dhe do të këmbëngulë në zbatimin e Kushtetutës. "Nuk është se atje është shkopi magjik, nuk ka dyshim që gjithë kjo që thashë, lidhet pikërisht me një perspektivë, jo thjesht të ditëve të ardhshme, po të ditëve, javëve, muajve. Do të ketë patjetër dialog, debate, mbrojtje interesash të kundërta", - theksoi z. Beja. Sipas Bejës, i humburi nga keqpërdorimi i ndërkombëtarëve do të jetë pikërisht Edi Rama. "U provua që çdo radikalizim nuk ta ofron zgjidhjen. Përdorimi i ndërkombëtareve për nevoja të ditës, të opozitës, nuk besoj se është frytdhënës, sepse shqiptarët shikojnë të gjithë, gjykojnë të gjithë, kuptojnë të gjithë", - deklaroi z. Beja.