Berisha përuron HEC e Lapaj: Nisma, jetike për energjetikën
Kryeministri Sali Berisha ka qenë i pranishëm në inaugurimin e përfundimit të punimeve të Hidrocentralit Lapaj, në Komunën Bushtricë, të Kukësit. Projekti, një investim me vlerë rreth 15 milionë euro, u realizua nga shoqëria koncesionare “Gjo-Spa Poëer” sh.p.k., pjesë e grupit italian ETEA. Berisha e ka cilësuar ndërtimin e kësaj vepre hidrike si një sukses të madh të politikës së kësaj mazhorance për shndërrimin e Shqipërisë në një superfuqi të vogël të energjisë së rinovueshme në rajon. Duke u ndalur në krizën që ka përfshirë Evropën dhe vende të tjera të zhvilluara, kreu i ekzekutivit shqiptar u shpreh se rruga më e sigurt për t’u mbrojtur nga pasojat e saj është inkurajimi dhe mbështetja e investitorëve të huaj.
“Kur u shpall kjo nismë, pak vite më parë, në tërësi u prit më skepticizëm, por e vërteta është se kjo nismë po lëshon shtat dhe rritet çdo ditë e më shumë, nga jugu në veriun e Shqipërisë, nga lindja në perëndimin e saj, me të gjithë lumenjtë dhe burimet ujore të këtij vendi. Kjo nismë ka bërë që në një hark të shkurtër kohor, katër vjeçar, në Shqipëri të ndërtohen dhe rindërtohen mbi 70 hidrocentrale. Kjo nismë ka bërë që sektori privat dhe shoqëritë private të fushës së energjisë, nga Evropa dhe mbarë bota, të firmosin me autoritetet shqiptare kontrata koncensionare për ndërtimin deri më sot të 330 hidrocentraleve, ndër të cilat edhe projekte gjigande, siç është kaskada e Devollit. Kjo është një nismë jetike për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë. Me këtë nismë ne synojmë që ujërat e burimeve tona natyrore, të cilat derdhen në det të fjetura, pa vlerë, të marrin vlerat energjetike dhe të shndërrohen në vlera të mëdha për qytetarët shqiptarë”, u shpreh Berisha.
Të pranishëm në këtë inaugurim ishin edhe ambasadori i Italisë në Tiranë z. Massimo Gaiani, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes, Edmond Haxhinasto, ministri i Brendshëm, Flamur Noka, deputetë të qarkut të Kukësit, përfaqësues të ETEA grup dhe partnerë të tyre shqiptarë, përfaqësues të pushtetit vendor, etj.
4 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)
Berisha përuron HEC e Lapaj: Nisma, jetike për energjetikën burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip