E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha plotëson vendet vakante, pse PDIU nuk u fut në qeveri

Shefi i qeverisë përzgjodhi deputetin Eduard Halimi për Ministër të Drejtësisë, ndërsa Aldo Bumçin për Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

TIRANË Edhe pse u duk se nuk kishte kohë për të bërë ndryshime në qeveri për këtë sesion parlamentar, pasi seanca e fundit është këtë të enjte, kryeministri Sali Berisha në mënyrë të beftë njoftoi dje në mesditë dy emërimet e reja në kabinet. Shefi i qeverisë përzgjodhi deputetin Eduard Halimi për Ministër të Drejtësisë, ndërsa Aldo Bumçin për Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Kjo lëvizje shuajti zërat (për këtë faze) për përfshirjen e PDIU-së së Shpëtim Idrizit në qeveri, lëvizje që pritej në mënyrë të veçantë pas rezultatit të kësaj force politike në zgjedhjet e 8 majit. Burime nga mazhoranca deklaruan dje për gazetën “MAPO” se kryeministri Sali Berisha ka qenë në negociata të vazhdueshme me kryetarin e PDIU-së, Shpëtim Idrizi, mbi mundësinë e përfshirjes së kësaj partie në qeveri. Por kërkesa e kryeministrit Berisha duket se ka qenë e adresuar te vetë pjesëmarrja e Idrizit në kabinet, dhe jo ndonjë emri tjetër nga kjo parti, kërkesë kjo që ka hasur në kundërshtimin e Idrizit, i cili i ka propozuar emra të tjerë nga partia e tij. Aleati tjetër i PD-së në qeveri, LSI-ja dhe kreu i saj, Ilir Meta, nuk u përfshinë dje në ndryshimet e bëra nga Berisha për shkak të vijimit ende të procesit gjyqësor në Gjykatën e Lartë. Akordi që duket se është bërë mes Berishës dhe Metës ka të bëjë me rikthimin e kreut të LSI-së në qeveri në vjeshtë ose në fund të vitit kur mund të kemi edhe një riformatim të gjerë të qeverisë. Ndërkohë, mësohet se Berisha ka komunikuar me dy ministrat e emëruar vetëm pak minuta para se të conte zyrtarisht dekretet në Presidencë.

Dekretimi dhe votimi

Emrat e rinj pritet të votohen nesër në seancën e fundit parlamentare pas dekretimit të Presidentit Bamir Topi. Eduard Halimi është zgjedhur në 2009-ën deputet, ndërsa më herët ka qenë zv/ministër i Drejtësisë. Ndërkaq, Aldo Bumçi rikthehet pas gati 4 vjetësh në qeverinë e djathtë. Për dy vite rresht, pas zgjedhjeve të 2005-ës, ai ishte Ministër i Drejtësisë. Emërimi i tij në një tjetër post, duke sjellë edhe rikthimin në kabinetin qeveritar, është një shpërblim i hapur për kryetarin e PD-së së Tiranës, për fushatën në zgjedhjet e 8 majit në kryeqytet. Ndërsa eksperti ligjor i PD-së, deputeti Eduard Halimi kryesoi intensivisht për një muaj komisionin hetimor parlamentar për ngjarjet e 21 Janarit. Halimi ka asistuar edhe në argumentet e PD-së, të paraqitura në Kolegjin Zgjedhor për Tiranën. Dy vendet vakante në kabinetin Berisha ishin që para zgjedhjeve të 8 majit, ky dy ministrat, Lulzim Basha dhe Ferdinand Xhaferri kandiduan për kryetar Bashkie. Lëvizja e kryeministrit në atë kohë ishte zhvendosja e Bujar Nishanit, nga posti i Ministrit të Drejtësisë në atë të Ministrisë së Brendshme.

Nevila Perndoj

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›