E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: PS të kërkojë referendum për ndryshimet kushtetuese

Për deputetin, Dritan Prifti, ndryshimet në Kushtetutë sollën dobësimin e shtetit ligjor dhe rolit të presidentit, pasi kreu i shteti u vu nën kontrollin e mazhorancës dhe kjo, sipas tij, solli edhe dobësimin e gjyqësorit në vend. “Unë kam shprehur prej disa kohësh publikisht qëndrimin tim, që ndryshimet kushtetuese sollën dobësimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Sollën dobësimin e rolit të presidentit, sepse presidenti u vu nën kontrollin e një mazhorance të përkohshme parlamentare, ashtu siç sollën dobësimin e sistemit gjyqësor në Shqipëri sepse duke u nënshtruar presidenti, u nënshtrua edhe mekanizmi që siguronte pavarësinë e gjyqësorit në Shqipëri”, - deklaroi Prifti. Sipas Priftit, PS dhe PD duhet të bashkëpunojnë për ndryshimet në Kushtetutë, në të kundërt opozita, thotë ai, duhet të kërkojë e vetme ndryshimet për zgjedhjen e presidentit. “Unë mendoj se me konsensus politik, të paktën dy forcat e mëdha PS dhe PD mund të ribëjnë ndryshimet kushtetuese mbase për të futur dhe zgjedhjen e presidentit nga populli. Por, nëse nuk ka konsensus politik, unë kam qenë partizani i idesë së një referendumi popullor. Opozita i ka 28 vota për të kërkuar në KQZ referendum për të ndryshuar Kushtetutën, të paktën për zgjedhjen e presidentit. Unë mendoj se nëse nuk do të ketë konsensus politik opozita, duhet në mënyrë të njëanshme të kërkojë të ndryshojë Kushtetutën për zgjedhjen e presidentit. Ne na duhet një president i fortë, na duhet një president mbi palët, nuk na duhet një president që kontrollohet vetëm nga një forcë politike sepse kështu nuk garantohet pavarësia e pushteteve në vend”, - nënvizoi Prifti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›