Berisha po tërhiqet nga referendumi për Kushtetutën
Topalli: Për ne ka patur dhe ka rëndësi kapitale heqja e imunitetit dhe jo rrugët e heqjes së tij…
Kryeministri Berisha po jep shenjat e para të tërheqjes nga referendumi për Kushtetutën. Kryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli paralajmëroi sot se qëllimi kryesor i mazhorancës është heqja e imunitetit me të gjitha rrugët dhe nuk është qëllim në vetvete një rrugë e veçantë për të.
Në daljen e saj të parë publike Topalli theksoi se sigurisht që për ne ka patur dhe ka rëndësi kapitale heqja e imunitetit dhe jo rrugët e heqjes së tij, prandaj dhe ne kemi qenë dhe jemi të vendosur të ndjekim të gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese për të arritur qëllimin që është heqja e imunitetit.
Relativizmi i mënyrës se si do të hiqet imuniteti është një tërheqje e fortë pas e Berishës, pas parlajmerimit të tij për referendum donkishotesk, ndërkohë që opozita është dakord me draftin për heqjen e imunitetit.
Pasiguria e Berishës shtohet nga fakti se aleati i tij në qeveri, Ilir Meta, ka paralajmëruar se nuk do të mbështesë shkuarjen në referendum për heqjen e imunitetit, për sa kohë opozita është e gatshme ta miratojë atë në një seancë parlamentare.
Gazeta Tema paralajmëroi dy ditë më parë se Berisha e kishte shpikur lojën e referendumit për të negociuar me Ilir Metën çështjen e kryeprokurorit.
Tërheqja e Berishës dhe sinjalet e tij për një kthesë në këtë drejtim, duket se po i japin më shumë shanse miratimit të heqjes së imunitetit në Kuvend dhe lënies së hapur te negociatave mes tij dhe Metës për çështjen e kryeprokurorit.