Nishani në Kosovë: Dialogu me Serbinë, e vetmja rrugë drejt Evropës

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani i bëri thirrje parlamentit të Kosovës të mbështesë dialogun Kosovë- Serbi, si e vetmja rrugë për integrimin evropian të Kosovës. Në fjalën e mbajtur në Kuvendin e Kosovës, Nishani shprehu qëndrimin e tij për mbështetjen e dialogut Kosovë-Serbi, si e vetmja rrugë drejt integrimit në BE, ndërsa theksoi se pavarësia e Kosovës dhe kufijtë e saj janë të pakthyeshëm.
Rikonfirmoj qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë se çështja e Kosovës është kapitull i mbyllur, ne mbështesim pavarësinë e saj dhe të kufijve të njohur ndërkombëtarisht. Ne kemi treguar se dimë të jetojmë në harmoni me fqinjët dhe për këto arsye forcim i faktorit shqiptar duhet parë jo si kërcënim po si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon- deklaroi para ligjvënësve kosovarë presidenti shqiptar, i cili shtoi se shqiptarët në rajon kanë një rrugëtim të përbashkët integrimin evropian.
Në fjalën e tij presidenti shqiptar shprehu vendosmërinë dhe angazhimin e tij për të mbështetur Kosovën në forumet rajonale dhe në rrugën evropiane.
Tani hapet një kapitull i ri. Kosova meriton të zërë vendin e saj në familjen evropiane dhe institucionet ndërkombëtare. Angazhohem solemnisht se gjatë mandatit Kosova do jetë kryefjala e veprimtarisë sime dhe mbështetja në rrugën e integrimit euroatlantik- nënvizoi Nishani, i cili theksoi se:
Pavarësia e Kosovës, anëtarësimi në NATO, lëvizja e lirë dhe procesi i nisur për Kosovën janë gurë të rëndësishëm kilometrazhi jo vetëm gjatë 100 viteve të fundit- tha Nishani, i cili shprehu bindjen se udhëheqësit e Kosovës do të bëjnë këtë vend më të mirë e më demokratik.
Nga ana e tij kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, e vlerësoi vizitën e Presidentit Nishani si një rast të mirë për përparimin dhe zgjerimin e dy vendeve tona në interes të përbashkët. Sipas tij kjo vizitë ka një simbolikë të veçantë se është në 100 vjetorin e shtetit shqiptar dhe tregon ecjen gjatë këtyre viteve që ka bërë populli ynë.
Nishani-Jahjaga: Dialogu me Serbinë është e vetmja rrugë efikase
Të dy presidentët ranë dakord se dialogu me Serbinë është e vetmja rrugë efikase.
Shqipëria ka mbështetur dhe do vijojë të mbështesë angazhimet e Kosovës, të parlamentit e qeverisë në kontaktet dhe bisedimet e komunikimit. Dialogu është mjeti më fikas dhe më evropian i trajtimit sot të të gjitha problemeve që mund të kenë vendet e ndryshme.
E shkuara e Kosovës ka qenë e mbushur me vështirësi dhe sakrifica, por e ardhmja e gjithë Ballkanit është që të gjithë duhet të komunikojnë dhe sepse dialogu është mjeti për të fituar frymën e zhvillimit e pajtimit dhe prosperitetit- u shpreh presidenti Nishani.
Nishani tha se Kosova e pavarur është realitet i pakthyeshëm dhe faktor kryesor për paqen “. Ai vlerësoi Jahjagën për kontributin në formimin e shtetit dinjitoz dhe shprehu gatishmërinë për të ndihmuar Kosovën dhe përpjekjet për të ndihmuar në përfshirjen e saj në kartën e Adriatikut.
Nishani-Thaçi: Angazhim i dy vendeve për integrim evropian
Në takim është biseduar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe në rajon, për bashkëpunimin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe për procesin e integrimit evropian të dy vendeve.
Suksesi i Kosovës në këto 4 vite e gjysmë të shtetësisë së saj është meritë e përkushtimit të institucioneve shtetërore të Kosovës, i unitetit politik dhe qytetar për të çuar përpara proceset zhvillimore dhe integruese të Kosovës. Pas përmbylljes së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, prioritet kryesor vazhdon të mbetet përshpejtimi i agjendës së integrimit të Kosovës në BE dhe në NATO theksoi kryeministri Thaçi.
Duke folur për bashkëpunimin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Shqipërisë, kryeministri Thaçi theksoi se ky bashkëpunim është i shkëlqyer dhe do të thellohet edhe më tej në fushat me interes të përbashkët, duke u fokusuar në bashkëpunimin ekonomik.
***
Sipas agjendës së njoftuar nga Presidenca kosovare, pasdite bëhen Homazhe te varri i Presidentit Rugova dhe vizitë në Familjen Rugova. Në vazhdim, Presidenti Nishani viziton Kishën Katolike në Binçë të Vitisë./ Tema