Berisha pranon ofertën e Metës për 3 ligjet
Palët arrijnë konsensusin për votimin e tri ligjeve të mbetura pezull
Nga Kukësi ku prezantoi kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike në këtë qark, kryeministri Sali Berisha tha se Parlamenti do të votojë të hënën tri ligjet e integrimit. Sipas kryeministrit maxhoranca shkon ballë hapur në këtë seancë pasi bëri gjithçka për integrimin e vendit.
Deklarata
Ditën e hënë do mblidhet Parlamenti shqiptar për të votuar ligjet. Por aty ne shkojmë ballë hapur sepse bëmë gjithçka për të merituar statusin e vendit kandidat, sepse në çdo ditë kërkuam votimin e ligjeve, tha kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë akuzoi kreun e PS-së, Edi Rama se bëri gjithçka që Shqipëria mos të merrte statusin e vendit kandidat. Pazarxhiu i 1 prillit deklaroi se unë pranoj paketën e Ilirit. Sot janë 224 ditë, që ai ka bllokuar për secilin prej jush pasaportën më prestigjioze pas NATO-s, pasaportën e e statusit të vendit kandidat. U bënë 224 ditë që ai bllokoi qindra milion euro për fermerët shqiptarë, deklaroi kryeministri Berisha.
Meta
Ndërkohë më herët, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta teksa falënderoi kryetarin e PS-së, Edi Rama për gatishmërinë e treguar për votimin e tre ligjeve ftoi kryeministrin Berisha që të mbledhë parlamentin dhe të votojnë tre ligjet. Dua të falënderoj kryetarin e Partisë Socialiste, z. Edi Rama për gatishmërinë e qartë dhe pa ekuivoke që ai demonstroi dje duke treguar vullnetin e plotë të forcës politike që përfaqëson për të miratuar tre ligjet, sipas kompromisit që ato të hyjnë në fuqi në shtator me Parlamentin e ri. Besoj se tani është koha e Kryeministrit aktual, z. Berisha për të treguar të njëjtën gatishmëri dhe qartësi pa ekuivoke, që ne në ditët që vijnë ti votojmë këto tre ligje, tha Meta. Pas shumë debatesh palët duken se kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të votuar tre ligjet. Votimi i ligjeve do të bëhet sipas formulës së propozuar ditë më parë nga kreu i LSI-së, Ilir Meta që ligjet do të votohen brenda kësaj legjislature dhe do të hynë në fuqi në muajin shtator me nisjen e parlamentit të ri.
Lista e kandidatëve të PD në qarkun e Kukësit
1. FLAMUR NOKA
2. BESNIK DUSHA
3. ALBAN ZENELI
4. ISMET JAKU
Noka: Në 23 qershor Kukësi do të jetë 4 me 0
Ministri i Brendshëm, njëherësh kandidati i partisë Demokratike për qarkun e Kukësit, Flamur Noka tha se falë investimeve të qeverisë ky qark po zhvillohet çdo ditë e më shumë. Berisha dhe PD po vazhdojnë të bëjnë gjithçka për zhvillimin e ndryshimin e Kukësit, për mirëqenien, punësimin e integrimin, ishin ata që bënë që Kukësi nga qarku më i prapambetur i Shqipërisë, të shndërrohet në një qark që po zhvillohet e ndërtohet përditë, në një qark me infrastrukturë moderne e evropiane sepse ne demokratët besojmë shumë tek liria , tek mirëqenia, punësimi, zhvillimi dhe integrimi”, tha Noka. Në vijim, Noka tha se në 23 qershor ne do të votojmë 4 me 0 për integrimin, punësimin, mirëqenien, zhvillimin e Kukësit dhe të gjithë Shqipërisë”.
Berisha: Rrugët që ne kemi ndërtuar kanë sëmurur Ramën
Gjatë turit të tij në Kukës, kryeministri Berisha inauguroi rikonstruksionin e rrugës, Rrëshen-Urakë. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë ironizoi kreun e PS-së, Edi Rama duke thënë se rrugët e asfaltuara nga qeveria kanë sëmurur Ramën. Rrugët e kanë sëmurur fare Ramën, e ka kapur një siklet i madh për rrugët që ndërtojmë. Mos u habisni kur ta shihni ndonjë ditë në krah timin duke prerë ndonjë shirit për t`ia hequr frikën. Atë e ka kapur një sëkëlldi. Ai merret me mohime, me bllokime me mashtrime, ne me rrugë, me grante për fermerët, ne merremi me zhvillimin, tha kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë premtoi se gjatë katër vjeçarit të ardhshëm qeveria do të vijojë të investojë në ndërtimin e rrugëve. Zotohem para jush se katër vitet që do vijnë në rrethin e Mirditës, anekënd këtij rrethi do të asfaltojmë çdo km rrugë aty ku ju banoni. 4 vitet që vijnë do bëjmë gjithçka që ju në çdo lagje, në çdo fshat të keni infrastrukturë të lagjeve të qyteteve, të keni ujësjellësa, kanalizime dhe sistem vaditje. Do bëjmë gjithçka për punësimin më të madh të mirditorëve dhe të shqiptarëve, u shpreh kryeministri Sai Berisha.
Topalli: Do vijojmë të mbështesim fermerët
Kryetarja e Kuvendit, njëherësh edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozeina Topalli zhvilloi një takim me banorë të fshatrave Vukatanë dhe Kuç në qarkun e Shkodrës. Gjatë bashkëbisedimit me fermerët e kësaj zone, Topalli renditi disa prej nismave të ndërrmara nga qeveria në këto vite për të ndihmuar fermerët ndërsa shtoi se gjatë katër vjeçarit ardhshëm qeveria do të vijojë të ndihmojë fermerët. Objektivi kryesor është bujqësia. Të gjitha rrugët kryesore janë bërë dhe në mandatin e ardhshëm do të bëjmë çdo rrugë, në çdo fshat e komunë”, tha Topalli. Nënkryetarja e PD-së premtoi gjithashtu trefishim të suvensionimeve për fermerët në të gjithë vendin. Para dy muajsh kaluam në Parlament një paketë fiskale shumë të rëndësishme. Ne po bëjmë çdo gjë për të ndihmuar fermerin, për të mbështetur fshatin, për të nxitur prodhimin, për të nxitur punësimin”, deklaroi Jozefina Topalli