Legalizimet, ALUIZNI merr pronat nëse nuk paguhet tarifa
Ndryshimet e fundit në ligj parashikojnë sekuestrimin e pronës nga ALUZINI
Qytetarët që kanë bërë shtesa pallatesh, apo kanë ndërtuar banesa mbi 5 kate si dhe banesa pranë akseve rrugore, pas vitit 2006, do të mund ti legalizojnë ato në fillim të qershorit. Kushti kryesor për të përfituar legalizimin është që pronësia të mos jetë objekt i çështjeve gjyqësore. Vetëdeklarimi
Të gjithë qytetarët që kanë mbetur jashtë procesit të legalizimit në fazën e parë të zbatimit të ligjit, do të mund të përfitojnë në këtë fazë të dytë sipas përcaktimeve ligjore. Kështu, duke filluar nga data 3 qershor, për plot 45 ditë, të gjithë ata që kanë ndërtuar objekte informale pas vitit 2006 duhet të plotësojnë formularin e vetëdeklarimit.
Tarifa
Por me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, të interesuarit do të duhet të paguajnë edhe tarifën për legalizimin, në mënyrë që më pas të përfitojnë edhe regjistrimin e objektit në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Në ndryshim nga i mëparshmi, ligji i ri përcakton se për rastet kur aplikuesi nuk paguan tarifën e legalizimit, atëherë prona do të regjistrohet në Hipotekë në emër të Agjencisë së Legalizimeve, deri në momentin që do të bëhet shlyerja e detyrimeve financiare nga pronari.
Ligji i vjetër
Në ligjin e vjetër, për rastet e shtesave të pallateve, nëse njëri prej bashkëpronarëve të shtesës së pallatit nuk paguante, atëherë procesi pezullohej. Ndërkohë, që me ndryshimet e reja, procesi i legalizimit vijon për pronarët që paguajnë tarifën e legalizimit për shtesën e pallatit apo godinat në bashkëpronësi, duke mos penalizuar pjesën që shlyen detyrimet. Këto ndryshime ligjore, sipas ekzekutivit, do ti japin fund edhe procesit të legalizimeve të ndërtimeve informale. Procesi për legalizimin e më shumë se 80 mijë ndërtimeve informale të pas vitit 2006 pritet që të nisë nga zbatimi pas afro dy javësh.