E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani-gazetarëve: Monitoroni me transparencë fushatën

pres-nishani-takim-me-median-2Në prag të fillimit të fushatës zgjedhore, Presidenti Bujar Nishani organizoi dje një mëngjes pune me drejtues të mediave në vend, nga të cilët kërkoi që të kontribuojnë gjerësisht në monitorimin dhe pasqyrimin e fushatës dhe situatën paszgjedhore. Nishani, u kërkoi drejtuesve të medias që të monitorojnë sa më mirë dhe me transparencë ecurinë e procesit zgjedhor të 23 qershorit. Presidenti Nishani tha se mediat duhet të kontribuojnë që të frenojnë apo parandalojnë gjenerimin e çdo lloj emocioni gjatë zgjedhjeve, që ato të mos kthehen në kosto sociale për vendin. “Kërkoj ndihmën tuaj, kontributin tuaj gjatë kohës së fushatës, ditës së zgjedhjeve dhe më pas zgjedhjeve për të monitoruar në mënyrën më të mirë të mundshme ecurinë e procesit zgjedhor, për të monitoruar në mënyrën më transparente të mundshme mënyrën e realizimit të zgjedhjeve në Shqipëri, të plotësimit të standardeve e sjelljes së aktorëve gjatë procesit zgjedhor”, u shpreh Nishani. Duke i konsideruar zgjedhjet e 2013-s si shumë të rëndësishme, krahasuar me ato paraardhëse, ai kërkoi nga mediat në vend që të tregohen të kujdesshme me evitimin e sjelljeve emocionale, të panevojshme gjatë procesit. “Shoqëria jonë, në evolucionin e saj në 20 vitet e fundit, ka manifestuar sjellje emocionale të natyrave të ndryshme, në momente të ndryshme. Sot konstatoj rolin e shkëlqyer të medias në frenimin e sjelljeve emocionale, që kërcënojnë më shumë. Dhe këtu shqetësim më i madh kanë qenë incidentet pas procesit zgjdhor”, u shpreh Presidenti Nishani. Sa i takon çështjes së liberalizimit të vizave me SHBA, Nishani tha se kjo është e mundur. Lëvizja e lirë është një mundësi pozitive, por qeverisë i takon të punojë fort bashkë me institucionet e tjera për të plotësuar standardet dhe kriteret. Edhe pas iniciativave që ka nga ana a presidenti Obama për të lehtësuar këtë proces besoj do jetë i rëndësishëm për qytetarët shqiptarë dhe mund të arrihet pa diskutim, tha Presidenti Nishani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›