E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha pranon pazaret e tij me Ramën gjatë 4 viteve në opozitë

Ndryshimi i Kushtetutës, Kodit Elektoral, ligji për Prokurorinë dhe Drejtësinë, pjesë e pazareve
Atë që gazeta SOT  e kishte thënë prej kohësh, e vërtetoi dje kryeministri Sali Berisha, gjatë një interviste televizive. Berisha pranoi publikisht se kryesocialisti Edi Rama ka bërë pazare me të prej 4 vitesh, si e si për të eliminuar Lëvizjen Socialiste për Integrim si dhe për të shkatërruar të majtën. Berisha verifikoi denoncimin e bërë prej ditësh nga gazeta SOT, ndaj kreut aktual të PS, i cili që pas koalicionit LSI-PD, ka nisur të luajë rolin e viktimës. Berisha nuk hezitoi të vërtetonte edhe shkrimin e publikuar pak ditë më parë në gazetën SOT se pas rezultatit paraprak të zgjedhjeve, Rama i kishte servirur Berishës 2 oferta, ku në njërën i kërkonte të bënte koalicion me të në, ose në të kundërt nuk do të pranoheshin zgjedhjet. Ndërsa në ofertën tjetër, Rama do ti dhuronte Berishës disa deputetë socialistë, vetëm që ai të mos bënte koalicion me Metën. Oferta e parë ishte që të bëja një koalicion të gjerë, përndryshe nuk do të njiheshin zgjedhjet dhe do të dilnin me njerëz në rrugë. Së dyti, oferta tjetër dëshpëruese, ishte që të më jepnin 6 deputetë, por me Metën të mos bëja koalicion, bëri të ditur Berisha gjatë intervistës televizive, duke shtuar se ofertat e Ramës arrinin deri në kërcënim. Ofroi me kërcënim koalicionin me emisarët e tij të cilët deklaruan se ose do të bënim koalicion me ta, ose nuk do të njihnin rezultatin dhe do të dilnin në rrugë, vijoi Berisha. Por bashkëpunimi i Ramës ka qenë edhe më i hershëm. Gjatë katër viteve në të cilët Rama ishte në opozitë, që të dy kanë bashkëpunuar për miratimin e disa ligjeve të rëndësishme në parlament. Këtu mund të përmendim ndryshimin e Kushtetutës, Kodit Elektoral, në mbylljen e gojës për Gërdecin, ligji për Prokurorinë, për Drejtësinë etj. Bashkëpunimin e dyshes Rama-Berisha në këtë ligje thelbësore e ka konfirmuar edhe vetë ky i fundit. Kam bashkëpunuar edhe me Ramën.Me kë e ndryshova Kushtetutën unë?, është shprehur Berisha gjatë intervistës së tij. Ndërsa kreu socialist i cili pritet të lërë së shpejti selinë rozë, nuk e ka pranuar asnjëherë bashkëpunimin e tij me Berishën. Kjo tregon edhe një herë se politikën intrigante që Rama ka synuar gjatë gjithë 4 viteve në krye të PS. Por kjo vërteton edhe një herë shkakun që çoi në shkatërrimin e të majtës dhe humbjen historike të zgjedhjeve parlamentare 2009.    

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›