E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha pret komunistët kinezë: Ju transformuat Kinën, ne transformuam Shqipërinë

dokuKryeministri në largim, Sali Berisha, ka pritur një delegacion të Partisë Komuniste të Kinës, i kryesuar nga drejtori i Drejtorisë së Marrëdhënieve me Europën Lindore dhe Azinë Qendrore, Tian Yongxiang. Delegacioni shoqërohej nga Ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Ye Hao.

Kryeministri Berisha i uroi miqve mirëseardhjen dhe kënaqësinë e veçantë për vizitën e tyre dhe, pasi u ndal në faktin se dy partitë Partia Demokratike dhe Partia Komuniste e Kinës kanë transformuar rrënjësisht dy vendet respektive, theksoi se kjo vizitë është tregues i qartë i interesit konstant që Partia Komuniste e Kinës ka treguar ndaj marrëdhënieve mes të dy vendeve dhe dy partive.

Kryeministri Berisha vlerësoi si shumë të rëndësishëm krijimin e Sekretariatit për bashkëpunim me Evropën Lindore dhe Juglindore dhe fondin e vënë në dispozicion nga qeveria kineze për projekte bashkëpunimi e zhvillimi në këtë rajon. Kryeministri vlerësoi projektet e përbashkëta dhe u ndal tek inciativa e qeverisë së drejtuar prej tij për mësimin e gjuhës kineze në shkollat e vendit si një hap me rëndësi në zhvillimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve. Kryeministri Berisha vlerësoi edhe bashkëpunimin në lidhje me ndërtimin e Rrugës së Arbërit, si një projekt madhor jo vetëm për vendin por edhe për rajonin. Ai falenderoi kompaninë e madhe Kineze CSCEC (China State Construction Engineering Corp.ltd) dhe qeverinë Kineze për ofertën realisht te leverdishme qe kanë bërë para zgjedhjeve për rrugën e Arbrit me zero ndikim ose ndikim të parëndësishëm, sipas variantit mbi borxhin publik. Pas përfundimit te zgjedhjeve oferta po përgatitet për tu shpallur ne përputhje ne ligjin si  tender i hapur  ndërkombëtar. Qeveria e re do vendose për përzgjedhjen e variantit dhe do të negociojë kontratën. Ndër të tjera kjo kompani ka shprehur angazhimin e saj edhe për tramvajin e Tiranës, thuhet në një njoftim të Kryeministrisë për këtë takim.

Kryeministria bën me dije se Berisha është ftuar në Kinë si kryetar i PD-së, për të marrë shembull nga ky vend.

Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime dhe vlerësime për zhvillimin e marrëdhënieve ndërpartiake, duke vlerësuar shkëmbimet në nivelet më të larta gjatë viteve të fundit. Kryeministri Berisha e njohu delegacionin e Partisë Komuniste Kineze me procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri të Partisë Demokratike pas dorëheqjes së tij, nëpërmjet mekanizmit “një anëtar, një votë” dhe çmoi se ky proces do te çojë në rinovimin dhe forcimin e partisë dhe do ta përgatisë për fitoren e zgjedhjeve të ardhshme. Në kuadër të bashkëpunimit partiak, z. Yongxiang e ftoi z. Berisha të vizitojë Kinën në krye të një delegacioni të Partisë Demokratike. Kryeministri Berisha e pranoi ftesën me kënaqësi dhe i shprehu bashkëbiseduesit përshëndetjet më të përzemërta për Presidentin, Kryeministrin dhe autoritetet më të larta të Partisë Komuniste Kineze, përfundon njoftimi./b.l

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›