E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha pret në takim kryetarin e BDI Ali Ahmeti

Kryeministri Berisha prit sot në takim kryetarin e Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim të Maqedonisë (BDI), zotin Ali Ahmeti. Pas takimit, Kryeministri Berisha theksoi se me kryetarin e BDI-së, zotin Ali Ahmeti ka pasur një diskutim të zgjeruar mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe Maqedoni.
"Ne diskutuam gjerësisht mbi bashkëpunimin e ngushtë midis dy vendeve tona, ramë dakord që kontaktet, sikundër deri tani, të jenë të vazhdueshme për të gjitha problemet. Qëndrimi i Shqipërisë, qeverisë shqiptare, autoriteteve shqiptare është dhe mbetet i pandryshuar, paqja, stabiliteti i Maqedonisë, integriteti i saj janë jetikë për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Sikundër konsiderojmë jashtëzakonisht të rëndësishëm zbatimin e plotë dhe konsolidimin e marrëveshjes së Ohrit dhe kur them këtë, dua të shpreh vlerësimin tim të palëkundur me të gjithë progresin thelbësor që është arritur në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Unë kam bindje se zbatimi i saj do të eci e pandërprerë, sikundër ka ecur gjer sot, në interesin më të mirë të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, por edhe në interesin më të mirë të mbarë shoqërisë maqedonase e të Maqedonisë në tërësi" theksoi Berisha.
Në fjalën e tij kreu u BDI-së Ali Ahmeti theksoi se i uron sukses kryeministrit Berisha në rrugën në drejtim të implementimit të standardeve që na afrojnë drejt Bashkimit Europian. "Ne kemi konsideruar dhe konsiderojmë se Shqipëria është një lobiste e vërtetë që Maqedonia sa më më parë të jetë anëtare e NATO-s, të mos jetë akoma më larg e shkëputur nga Karta e Adriatikut, sepse nga Karta e Adriatikut, Shqipëria dhe Kroacia janë në NATO dhe të gjitha angazhimet ne i bëjmë në këtë drejtim, që sa më parë Maqedonia të zërë vendin e merituar, sepse duke qenë në NATO kemi më shumë siguri, më shumë stabilitet, jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për rajonin si tërësi. Edhe një herë suksese, zoti Kryeministër" theksoi Ahmeti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›