E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha pret trupat e kthyera nga Afganistani

Kryeministri Berisha ka pritur sot trupat e kontigjentit Paqeruajtës “Eagle 1” i cili kreu për 6 muaj, misionin e tij në Kandahar të Afganistanit.
Në ceremoninë e pritjes të organizuar në ambjentet e kryeministrisë merrnin pjesë personalitete të ministrisë së mbrojtjes si dhe familjarë të ushtarakëve të kthyer nga misioni në Afganistan. Në fjalën e tij kryeministri Berisha u shprehu mirënjohjen e thellë trupave paqësore duke theksuar se ata do të mbeten përherë në historinë e forcave të armatosura dhe në historinë e Shqipërisë si misioni i parë që ngriti flamurin tonë kombëtar në Afganistan.
“Ju ia dolët të fitoni respektin dhe dashurinë dhe respektin e trupave të tjerë të NATO-s dhe të ushtrisë së SHBA-së. Ju u bëtë një emër shumë i mirë i vendit tonë mes trupave të aleancës” iu drejtuar Berisha trupave paqeruajtëse.
Kryeministri Berisha gjithashtu theksoi se qeveria mbetet e vendosur për modernizimin e forcave të armatosura dhe për të plotësuar të gjitha detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO.
Gjithashtu kryeministri Berisha duke iu referuar sërish ngjarjeve të 21 janarit theksoi se qeveria do të bëjë të gjitha përpjekjet për të kthyer imazhin e mirë të vendit.
“ Jemi të angazhuar për të kthyer imazhin që vendi meriton dhe se liria dhe vlerat e saj janë të pakapërcyeshme në këtë vend” theksoi Berisha.

Trupat e Kontigjentit Paqeruajtës, “Eagle 1”, janë nisur që në muajin korrik të vitit 2010, (dt. 28 korrik 2010) ky kontigjent, për herë të parë në historinë e Forcave të Armatosura, kreu një nga misionet më të vështira e më të rrezikshme në 8 vitet që FA japin kontributin e tyre në favor të lirisë dhe paqes kudo në botë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›