Berisha prezanton programin për bujqësinë: Financim 150-200 milionë euro në vit për fermerët

TIRANË, 7 nëntor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se “zhvillimi i infrastrukturës bujqësore është premtimi solemn i Partisë Demokratike në kohën kur ajo do të vijë pushtet”.
Në tubimin e përnatshëm, Berisha u shpreh se “qeveria e PD-së do të subvencionojë normat e interesit të kredive bankare në fushën e bujqësisë në masën 80 për qind të tyre”.
“Marrëveshja e Ramës dhe Vuçiç kundër fermerëve shqiptarë do të marrë fund në parlamentin e ardhshëm. Për ne krijimi i mirësive, pasurive, begatimi kudo që jetojnë shqiptarët, është dhe mbetet qëllimi ynë madhor”, u shpreh Berisha gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar.
Berisha garantoi fermerët shqiptarë se do të kenë një financim prej 150-200 milionë eurosh në vit.
“Do ketë mbështetje direkte për të gjithë sektorët, bujqësinë, blegtorinë, peshkimin, akuakulturën, akuaindustrinë mbi bazën e sipërfaqes, mbi bazën e prodhimit dhe numrit të krerëve. Çdo fermer që aplikon mbështetje në fushat prioriare të përcaktuara nga qeveria. Eksporti, blegtoria, pemëtaria, agropërpunimi do përfitojnë mbështetje nga shteti pa asnjë kufizim”, tha ai.
Kjo ndërhyrje, sipas tij, është emergjente për shpëtimin e bujqësisë shqiptare nga falimentimi i plotë.
“Do subvencionohen skemat e e sigurimit të pronës në bujqësi, sigurimit të dëmtimeve nga fatkeqësitë natyrore. Ky subvencionim do jetë në masën 75 për qind të primit të sigurimit. Zhvillimi i infrastrukturës bujqësore është premtimi ynë solemn. Çdo vit ujitja dhe kullimi do ketë investim prej të paktën 70 milionë euro. Brenda 4 viteve ne do dyfishojmë aftësitë ujitëse dhe kulluese në të gjithë sipërfaqen bujqësore”, tha Berisha.
Sipas tij “do të krijohet agjencia e studimit të tregjeve dhe orientimit të fermerëve në mënyrë që të mos ndodhë kjo që ndodh rëndom tani, ku qindra e mijëra kuintalë prodhime të klasit të parë përfundojnë në kanale, groposen për shkak të dezorientimit të plotë për tregun dhe mosinformimin e tyre”.
“Do të garantohet shërbimi bujqësor dhe blegtoral nga shteti në çdo rreth, në çdo qark, i organizuar dhe falas. Do të investohet për mekanizmin dhe modernizimin e mekanikës bujqësore. Një kontroll i rreptë do jetë mbi importin e imputeve bujqësore. Cilësia e tyre do jetë kushti i të gjitha kushteve për t’u shpërndarë në këtë vend”, tha Berisha.
Po ashtu siguria ushqimore, sipas tij, do të jetë përparësi absolute.
/m.m/a.f/r.e/