E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama: Krenar që do të jemi vendi mikpritës i Komunitetit Politik Europian

TIRANË, 7 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot krenar për Shqipërinë, që në gjysmën e parë të vitit 2025 do të jetë vendi mikpritës i takimit të drejtuesve të shteteve të Komunitetit Politik Europian.

Kryeministri Rama ndodhet sot në Budapest, Hungari, ku mori pjesë në takimin e Komunitetit Politik Europian, së bashku me 47 kryetarë shtetesh e qeverish nga e gjithë Europa.

Rama ndau në rrjetet sociale disa nga momentet më të rëndësishme nga punimet e këtij forumi të rëndësishëm, ku liderët pjesëmarrës diskutuan mbi sfidat e sigurisë me të cilat përballet Europa.

Më herët, në një deklaratë të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orbán, Rama u shpreh se “do të jetë një privilegj mjaft i madh për të punuar si ekip dhe për ta bërë takimin e ardhshëm në Tiranë po kaq të suksesshëm sa ky në Hungari”.

Në axhendën e diskutimeve në Forumin e sotëm në Budapest u shtruan çështje si konkurrueshmëria e Bashkimit Europian, qëndrimet gjeopolitike të Europës përballë kërcënimeve dhe mbrojtja e kontinentit.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›