E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha prezanton raportin për Zgjedhjet lokale të 14 majit: Farsa më e shëmtuar në 32 vite!

Partia Demokratike, grupimi i Rithemelimit, i drejtuar nga ish kryeministri Sali Berisha ka prezantuar të mërkurën raportin me gjetjet e zgjedhjeve lokale të 14 majit.

Si dhe më parë, kreu i saj Sali Berisha deklaroi se zgjedhjet janë vjedhur nga kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste që ai drejton.

“Kjo është farsa zgjedhore më e shëmtuar në 32 vite. Bazohet në qindra e mijëra fakte e dokumente të konstatuara  në 4 anët e vendit” tha zoti Berisha.

Ai nuk ka pranuar humbjen e thellë të opozitës në këto zgjedhje ku PD e zotit Berisha në koalicion me Partinë e Lirisë të ish presidentit Meta mori vetëm 7 bashki kundrejt 53 bashkive që fitoi PS dhe 1 bashkie që e  fitoi Mega.

“Gjetjet do të hidhen dhe në Amazonë që të mund të njihet mbarë komuniteti ndërkombëtar për këtë farsë zgjedhore që ka për aktor kryesor Edi Ramën, person të inkriminuar kokë e këmbë që ka tmerr dhe ferr largimin nga pushteti për shkak të aferave të tij korruptive” tha zoti Berisha.

Kreu i grupit të punës për raportin deputeti demokrat Oerd Bylykbashi tha se tashmë Shqipëria është në krizë institucionale dhe politike të thellë. 

/ rtsh.al /

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›