Merr fund “saga“ për Bashkinë e Kuçovës, Kreshnik Hajdari çertifikohet si kryebashkiak

Merr fund “saga“ për Bashkinë e Kuçovës. Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi, i dha të martën mandatin e Kryetarit të Bashkisë Kuçovë, Qarku Berat Kreshnik Hajdarit, të propozuar nga Partia Socialiste, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023.
Koalicioni “Bashkë Fitojmë” paraqiti ankimim në të gjitha hallkat e institucioneve që merreshin me zgjedhjet për Bashkinë Kuçovë, duke kundërshtuar vendimin e ZAZ Nr. 64 “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Kuçovë”.
Referuar një baze të gjerë ligjore, koalicioni pretendoi një sërë shkeljesh, të cilat, sipas saj, “provojnë në mënyrë të qartë dhe të pakundërshtueshme se se kemi të bëjmë me shkelje të dispozitave të Kodit Zgjedhor”, madje ” ka patur edhe krim zgjedhor”.
Koalicioni “Bashkë Fitojmë” kërkoi rinumërim dhe rivlerësim të votave për ZAZ 64, në të gjitha qendrat e votimit.
Por edhe pas rinumërimit të votave në 18 kuti votimi, u konfirmua fitorja e kandidatit socialist, Kreshnik Hajdari, i cili mori në zgjedhjet e 14 majit 49.79% të votave, në raport me 44.88 % që mori kandidati i “Bashkë Fitojmë”, Lefter Maliqi.
Rinumërimi i 18 kutive u bë pas kërkesës së koalicionit “Bashkë Fitojmë”, të cilët pretenduan se kutitë e votimit nuk kanë patur proces verbal dorëzimi dhe se kanë qenë jashtë fokusit të kamerës për të paktën dy orë.
Për Bashkinë e Kuçovës në zgjedhjet e 14 majit konkuronte Kreshnik Hajdari i Partisë Socialiste, Lefter Maliqi i Koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe Ilirjan Koxhaj i Partisë Demokratike.
/rtsh.al/