Berisha propozon Besim Ndregjonin si Avokat i Popullit, Peleshi: Ndjekim procedurën parlamentare

TIRANË, 17 shkurt /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha propozoi sot Besim Ndregjonin për postin e Avokatit të Popullit.
Berisha u shpreh se Ndregjoni vjen nga shtresa e ish-të përndjekurve politikë dhe kërkoi që të votohet edhe nga mazhoranca kjo kandidaturë.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi u shpreh se PS nuk është kundër asnjë emri, por duhet ndjekur procedura parlamentare kur diskutohet për emrat.
Berisha u shpreh se, “nëse duhet konsultuar mos e hidhni në votë dhe le të vijmë për ta diskutuar”.
Berisha tha se është në detyrimin e këtij parlamenti të votojë për Avokat të Popullit përfaqësuesin e asaj shtrese që përjetoi kalvarin më të egër barbaritë më të mëdha në të gjithë Europën.
“Kampet e përqendrimit dhe gulagët e regjimit të shkuar janë një rast për këtë parlament për të emëruar pikërisht avokat të të drejtave të shqiptarëve, të drejtave themelore, një përfaqësues të shquar të tyre, një përfaqësues të shquar të një prej familjeve më të nderuara të Dibrës, dhe mendoj se nuk ka nevojë të përdoren votat sekrete, por të votoni Besim Ndregjonin edhe si një akt ndjese detyrimi, ndjese për atë që ka ndodhur, për dramën e tmerrshme që ka përjetuar shtresa e tyre”, u shpreh Berisha.
Ai kërkoi që të mos përdoret vota e fshehtë por të dilet hapur e të miratohet kandidatura e përfaqësuesit të një shtrese të martirizuar në respekt për vuajtjet, sakrificat e tyre.
Peleshi u shpreh dakord me heqjen nga rendi i ditës së votimit të Avokatit të Popullit.
Votimi për Avokatin e ri të Popullit do të bëhet për herë të dytë ndërsa procesi dështoi në votimin e parë kur mazhoranca rrëzoi me votë në seancë emrat e mbështetur nga opozita.
Gara ka nisur me 15 kandidatë që plotësuan kriteret ligjore, por në seancë plenare mund të votohen vetëm ata kandidatë që kanë mbledhur firmat e jo më pak se 28 deputetëve.
Kandidatët që kanë plotësuar këtë kriter prej një viti janë shtatë: Vitore Tusha, Tartar Bazaj, Besim Ndregjoni, Bledar Dervishaj, Dardan Mustafaj, Edison Frangu dhe Erald Aga.
Dy prej kandidatëve, Vitore Tusha dhe Tartar Bazaj vijnë nga një karrierë në sistemin e drejtësisë, ndërsa kandidatët e tjerë vijnë nga avokatia. /j.p/