Berisha qesh në Kongres, Rama bërtet në shesh
Kryeministri Sali Berisha, në prag të një mandati tjetër katërvjeçar si kryetar i Partisë Demokratike, shpalosi dje në Kuvendin Kombëtar platformën e tij për të ardhmen e partisë dhe të vendit. Prerazi Berisha mohoi çdo mundësi për mbajtje zgjedhjesh të parakohshme dhe insistoi se është i vendosur të qëndrojë në politikë edhe për 35 vite të tjera. Duke mos i shpëtuar dot situatës së rënduar politike në vend, Berisha në fjalën e tij u ndal edhe te marrëdhëniet me opozitën dhe te fakti se vendi nuk ishte në krizë si pasojë e bojkotit parlamentar. Sipas Berishës, në një vend demokratik mazhoranca mund të arrijë të qeverisë për shumë vite me një kuorum prej 75 deputetësh. Kryeministri theksoi se ndonëse mazhoranca nuk e ka atë që quhet shumicë e cilësuar, ajo mund të gjejë rrugë anësore për të arritur objektivat e saj. "Kjo situatë nuk është e pazgjidhshme, pasi me anë të akteve mund të kalojnë një sërë çështjesh, të cilat kanë nevojë për tre të pestat në Kuvend. Ne i kemi të gjitha mundësitë që nëpërmjet procedimeve anësore të arrijmë objektivat tanë", deklaroi Berisha në një prononcim për studion e improvizuar të "Top Channel". Nisur nga ky qëndrim, Kryeministri pohoi se në rastin e bllokimeve, për sa i përket mbledhjes së Konferencës së Gjyqësorit, mund të përdorej e drejta e vendosjes me shumicë vote. Përgjatë fjalës së tij, Berisha mbajti qëndrim të njëjtë për sa u përket kërkesave të opozitës. Kryeministri theksoi se ndonëse PD-ja ishte një parti e pasionuar pas lirisë, ajo nuk mund të lejonte që një grup pinjollësh të bllokut të drejtuar nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, të arrinin të prishnin ëndrrën europiane të shqiptarëve. Po kështu, Berisha theksoi se nuk do ta lejonte këtë mafie të përvetësonte në mënyrë joligjore pasuritë e të gjithë shqiptarëve. "Kjo mazhorancë është sot më e vendosur se kurrë të zbatojë me vendosmëri ligjin, të përdorë të gjithë pushtetin që i ka dhënë sovrani në zgjedhjet e 28 qershorit për t‘i dhënë përgjigjen më të merituar mafies, e cila nxin çdo ditë imazhin e vendit, e cila pengon çdo ditë me veprimtarinë e saj kriminale zhvillimin e vendit", theksoi Berisha. Por ai gjeti gjithashtu rastin t‘i bëjë thirrje opozitës që të hiqte dorë nga rruga e bojkotit dhe të kontribuonte në zhvillimin e vendit. Kryeministri theksoi se asnjë arsye nuk mund të bënte që ai të pranonte, të komprometonte një proces historik siç ishin zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. "Këto zgjedhje e nxorën Shqipërinë nga lista e zezë e zgjedhjeve të pandershme", theksoi Berisha. Duke folur për mandatin e dytë qeverisës, që këto zgjedhjeve i dhanë PD-së, Berisha theksoi se integrimi do të ishte shtyllë kryesore e programit të demokratëve, por edhe përfaqësuesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në këtë kuadër, Kryeministri përsëriti se liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi në Bashkimin Europian janë objektivat kyç të qeverisë.
F.Mejdini
F.Mejdini