Trajneri hedh poshtë pistën e afrimit në janar të mbrojtësit Kempbëll
Mançester Junajtid i ka të gjitha mundësitë financiare për të blerë edhe në merkaton e dimrit, por problemi i momentit qëndron në faktin se ndihet mirë me grupin e futbollistëve dhe as që ka ndërmend të bëjë ndonjë blerje në këtë periudhe transferimesh në mesin e kampionatit. Sër Aleks Ferguson këmbëngul se mjeti financiar për të operuar në merkaton e janarit nuk mungon, megjithatë ai nuk mendon për ndonjë goditje të madhe, pasi i beson grupit të futbollistëve. Pas asaj krize dëmtimesh të shfaqura në linjën e mbrojtjes dhe të mesfushës, një emër i njohur qarkulloi si mundësi për të ardhur në stadiumin "Old Traford" në merkaton e dimrit: mbrojtësi veteran Sol Kempbëll. Por Ferguson u jep fund spekulimeve lidhur me mbrojtësin 35-vjeçar, Sol Kempbëll. Po kështu dhe Venger, që për katër vjet kishte mbrojtësin veteran te skuadra e tij, Arsenali, nuk mendon që mund të ribashkohet me Sol Kempbëll. Edhe pse lista e borxheve të Mançester Junajtid është e gjatë, 790 milionë euro dhe 80 milionë sterlina të fituara nga shitja e Kristiano Ronaldos u përdorën për të paguar interesat, Ferguson pohon se ka në dispozicion mjetin financiar të nevojshëm për të operuar në merkaton e janarit, por jo për alternativën Sol Kempbëll. "Nuk e di se si u krijua kjo histori me Sol Kempbëll. Ai është një mbrojtës me karakter të fortë, por ne nuk jemi të interesuar për të. Nëse dikush mendon se nuk kam mjetin e nevojshëm financiar, i përgjigjem se kjo nuk është e vërtetë. E vërtetë është se jam i kënaqur me grupin e futbollistëve". Ndërsa fshin emrin e 35-vjeçarit Sol Kempbëll si përforcim te Mançester Junajtid, Ferguson po mendon që t‘i ofrojë kontrata të reja dy veteranëve të "djajve të kuq", mesfushorëve Rajan Gigs dhe Pol Skolls. "Rajanit do t‘i ofrohet një kontratë dhe për sezonin e ardhshëm dhe pse ai do të jetë 37 vjeç. Po kjo gjë do t‘i ofrohet dhe Skollsit", theksoi tekniku skocez. Mançesteri humbi të shtunën një mundësi të artë për të kapur Çelsin në krye të tabelës së klasifikimit, por humbja në shtëpi ndaj skuadrës së Aston Vilës, i vështirëson edhe më shumë situatën. Kështu që "Blues"-at e kanë çuar diferencën e pikëve në tre.