E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha e shpalli opozitën rrezik kombëtar

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, reagoi dje pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila hodhi poshtë veprimtarinë e komisionit hetimor për Bashkinë e Tiranës, që u ngrit në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit. Rama vlerësoi se Kryeministri Berisha ka nisur një luftë kundër vendorëve të opozitës, por në rastin konkret Gjykata Kushtetuese e ka konsideruar si shkelje lirish e të drejtash kushtetuese. "Është bërë e njohur sot për publikun, se komisioni hetimor i radhës i Sali Berishës, ai që u ngrit enkas për fabrikën e baltës elektorale me lejet e ndërtimit, është shpallur antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Pra, e gjithë furia e shpifjeve të nxjerra nga një palo hetim parlamentar, me qëllim elektoral, ato që mbushën ekranet e gazetat përpara zgjedhjeve me lejet e ndërtimit të Bashkisë së Tiranës, është konsideruar nga Gjykata Kushtetuese shkelje lirish e të drejtash kushtetuese", theksoi Rama. Ndërkohë, ai paralajmëroi një tjetër nismë antikushtetuese të Kryeministrit që shkel sërish një vendim të Gjykatës Kushtetuese pas shembjes kriminale të nënkalimit të Zogut të Zi, për të cilën qeveria e Sali Berishës i detyrohet sot e gjithë ditën Bashkisë së Tiranës pagesën e dëmit. "Në vend të pagesës së dëmit, që na detyrohet për shkak të cenimit të autonomisë e të ligjit, Sali Berisha ka vendosur së fundmi t‘i japë vetes një bazë ligjore, përsëri antikushtetuese, për të shtrirë atë që ai paturpësisht e quan operacion antimafia në Tiranë, por që në fakt është një operacion mafioz i pushtetit të tij, kundër sipërmarrësve të listuar nga Sali Berisha si mafiozë vetëm e vetëm sepse financojnë media kritike ndaj qeverisë, apo thjesht nuk financojnë oborrin e familjes së tij", nënvizoi Rama. Në arsyetimin e Ramës, "i kapur mat mbi kutitë e mbyllura forcërisht të 28 qershorit dhe i alarmuar nga frika e protestës popullore, e cila pa asnjë dyshim do të përshkallëzohet më tej, në pamundësi për t‘u ofruar shqiptarëve paqe, zhvillim e mirëqenie, Sali Berisha ka shpallur opozitën rrezik kombëtar dhe ka hapur një luftë antikushtetuese e antiligjore me Bashkinë e Tiranës e me bashkitë opozitare në tërësi, si simbole të opozitës e të suksesit në qeverisje, duke synuar të tërheqë vëmendjen e publikut e të dekurajojë opozitën me shpifje barbare e sulme".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›