Berisha reagon ndaj Sulës: Lista kaq mundësi kishte. Largimi nga koalicioni i Sterjovskit, tradhëti

TIRANË, 12 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot para mbledhjes së Kryesisë së PD për deklaratën e deputetit Dashnor Sula se nuk do të jetë në listat e zgjedhjeve për garën elektorale të 11 majit.
“Kjo listë këto mundësi kishte. Ka qenë në listë e hapur, nuk është përjashtuar, s’mund të përjashtohet ai, ka meritat e veta”, tha Berisha për Sulën, duke shtuar se “është njeri i respektuar”.
Për renditjen e Sulës i pari në primaret e Elbasanit, Berisha u shpreh, “mos shkoni në ekstreme, primaret janë një kriter themelor, nuk ia mohon kush meritat”.
I pyetur se pse më të votuarit nuk janë në listë të hapur, Berisha tha se, “të miratohet lista, se nuk është miratuar lista. Nuk më shkon mua të nxjerr listën kur nuk është miratuar”.
I pyetur për më të votuarin e Elbasanit, Dashnor Sulën që nuk do jetë në listë, Berisha tha se, “ajo nuk dihet e thua ti, ai deklaron, por mund të ndryshojë mendimin. E vërteta është që po mendoj për qeverinë pas 12 majit”.
Në lidhje me largimin nga koalicioni i Partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Evropian (AMIE), Vasil Sterjovski, Berisha tha “sa është i vjetër njeriu, është edhe tradhtia, nuk ke ç’i bën”.
/a.f/